Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se Meta ka propozuar që data e zgjedhjeve të jetë 6 marsi.
“Zgjedhjet duhet të ishin zhvilluar në secilën prej bashkive brenda afatit 45 ditor. Për ne nuk ka asnjë datë, data është e përcaktuar nga ligji dhe Kushtetuta. Nga ana e Presidentit të Republikës jemi informuar me institucionet për zgjedhjet e pjesshme 6 mars, duke marrë në konsideratë këto afate. Shkeljet kushtetuese të konstatuara këto 2 vite nuk duhet të kishin ndodhur dhe zgjedhjet të ishin mbajtur. Ne kemi qenë në anën e duhur të historisë dhe të respektimit të Kushtetutës. Besoj se edhe Meta e ka kuptuar se deri tani ka shkelur Kushtetutën”, tha Balla.
I pyetur nga gazetarët pse nuk ka asnjë të ftuar nga opozita për konsultim, Balla tha se
” Pyesni presidentit dhe ai duhet të ketë një përgjigje për këtë, nuk më takon mua. Kandidatët gati? Tani kemi ardhur për këtë çështje, PS ka qenë gjithmonë gati, për ne Kushtetuta dhe Ligji janë mbi të gjitha”.
Sipas tij nëse do të ketë zgjedhje në 6 Bashki apo vetëm 3 siç njofton KQZ kjo është një çështje që është në juridiksionin e leximit nga ana e presidentit.
“Zgjedhjet në Shkodër duhet të ishin zhvilluar në shtator të 2019. Kemi kthyer përgjigje Metës për bashkitë që s’kanë kryetar? Pyesni institucionet përgjegjëse”, tha Balla.