“Të hapen pa asnjë vonesë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Një ditë pas publikimit të raportit të progresit të Komisionit Europian apeli vjen i fortë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe nga Përfaqësuesit të Lartë të BE për politikë të jashtme, Josepsh Borrell.

Një javë pas takimit te zhvilluar ne Uashington të Borrel me Sekretarin Anthony Blinken deklarata e përbashkët është publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit. SHBA dhe Bashkimi Europian apelojnë vendet anëtare të Bashkimit Europian që të ndërmarrin hapin e madh për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për një datë për konferencën e parë ndërqeveritare.

SHBA dhe BE gjithashtu kanë prekur ccështje të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor, duke shprehur vendosmërinë për të mbështetur fortë rajonin, për të mbështetur integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës; për të inkurajuar dialogun Kosovë-Serbi si dhe duke i bërë thirrje forcave politike në Mal të Zi për të ruajtur orientimin strategjik perëndimor.

Komisioni Europian publikoi dje progres raportin për Shqipërinë, ku edhe në këtë raport KE rekomandon hapjen e  negociatave për Shqipërinë, pasi i ka plotësuar kushtet. Reforma administrative territoriale është një tjetër pikë e prekur në Raport ku theksohet se duhet të vijojë decentralizimi i pushtetit lokal dhe të bëhet më shumë për autonominë dhe financat e bashkive. KE thotë se Shqipëria ka shënuar përparim në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe ka bërë përparim të mirë në luftën kundër krimit të organizuar, duke shënuar rezultate të mira në këtë drejtim.