Kreu i PD-së, Lulzim Basha në komunikimin për mediat pas humbjes në zgjedhje, ka prezantuar kritikat për procesin zgjedhor, por pa përmendur mosnjohje të rezultateve, teksa nuk ka bërë asnjë koment mbi kërkesën e dorëheqjes.

Duke e quajtur 25 prillin, si një masakër elektorale, Basha ka akuzuar me emra konkret një sërë deputetësh e politikanësh, me në krye Edi Ramën, pasuar nga Tom Doshi e Aqif Rakipi sipas së cilit vodhën zgjedhjet. Kryedemokrati shtoi se PD-ja po vijon mbledhjen e fakteve që vërtetojnë se si kjo treshe ka tjetërsuar rezultatin e 25 prillit.

”Së dyti, 25 prilli është masakër elektorale, viktima e të cilës nuk është PD. Rezultati ynë flet qartë, besimi, shpresa që zgjuan e bashkuan pavarësisht prej rolit të paprecedentë të krimit të organizuar, parave të pista, apo dhe shkrirjes së vijave mes partisë e shtetit, nuk ia doli dot të zvogëlonte bashkimin. Detyrimi i parë është para shqiptarëve, jo vetëm para kandidatëve për deputetë, apo militantëve të PD që bënë betejë historike duke pasur përballë të gjithë.

Thënë kjo, një gjë është e sigurtë, ndërsa ne vijojmë mbledhjen e faktimin e, gjithë kamerat e mikrofonët duhet të drejtojnë pyetjet tek autorët, Rama-Doshi-Rakipi. Si i morën votat 3 deputët e Tom Doshit, si i mori votat Vangjush Dako, Jurges Çyrbja, Rrahman Rraja dhe Ilir Ndraxhi i Avdylajve.

Si i mori votat djali dhe dhëndri i Aqif Rakipit. Si i mori votat Aurora Mara e Gent Marës. A mund të pranojë Shqipëria, që sot mban me krenari anëtarësimin në NATO. Mban këtë peshë e krenari, ndërkohë që mban edhe këtë masakër elektorale.  Një nga kushtet kryesore të anëtarësimit të NATO ishte mbrojtja e demokracisë. Kjo betejë do bëhet në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë. Përfundimi do jetë i qartë, rrëzimi i regjimit.”- tha Basha.

VERITAS.COM.AL

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.