Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në nisje të sesionit të ri parlamentar ka deklaruar se kauza e forcës politike që ai përfaqëson është t’u shërbejë qytetarëve.

“Kauza jonë, beteja jonë është për qytetarët. Në nuk jemi në këtë sallë të merremi me njëri- tjetrin, duhet të punojmë dhe t’u shërbejmë  demokratëve dhe qytetarëve”, tha ai.

I pyetur për ndryshimet në statut dhe për largimin e Gazment Bardhit nga kryetari i Grupit Parlamentar, Basha tha se këtë post do ta delegojë sipas statutit, tek njëri prej nënkryetarëve të PD-së, por pa specifikuar emër konkret.

“Prej ditës së djeshme me shuarjen në fuqi të statutit të PD janë marrë vendimet përkatëse. Për shuarjen kureshtjen tuaj, dua ta deklaroj hapur se si kryetar I PD I ngarkuar nga statuti edhe me detyrën e kryetarit të grupit parlamentar, por i autorizuar për ta deleguar këtë detyrë, kam ndërmend ta delegoj këtë detyrë tek një nga nënkryetarët e partisë, siç ka qenë përherë”, tha Basha.

Ai u bëri apel deputetëve të lënë mënjanë interesat personale, dhe të bashkojnë forcat për t’iu shërbyer demokratëve dhe qytetarëve pa asnjë dallim.

“Thirrja ime për çdo deputet, është që tani të shohim përtej interesave personale. Përtej ankthit dhe frikërave që mund të ketë shkaktuar konflikti I ndezur në mënyrë të padrejtë tek një pjesë prej tyre, sepse në fund të fundit janë shprehur mbi 4000 delegatë të PD, dhe ato janë një forcë reale në mbështetje të PD. Kjo është fuqia që mund të mbështetjen të gjithë deputetë e PD”, theksoi kryedemokrati Basha.