Nga: Rigels Seliman /Agjensia e Lajmeve Sot News/

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se kanë hyrë në një luftë të ftohtë me njëra-tjetrën. Gazeta e deklaroi një ditë më parë se përplasjet dhe divergjencat brenda opozitës janë shtuar ndjeshëm, por këto sherre kanë arritur kulmin ditët e fundit. Dy ditë më parë kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi një mbledhje në selinë blu me Kolegjin e Kryetarëve, ndërkohë gazeta ka mësuar detaje të tjera nga ky takim. Sipas informacioneve, mësohet se kryetari i PD është shprehur para vartësve të vetë se marrëdhëniet me LSI nuk janë fort të kënaqshme dhe se me këtë forcë politike ka më shumë gjëra që e ndajnë se sa e bashkojnë. Në këtë pikë, mësohet se Basha ja u ka bërë të qartë demokratëve që të nisin fuqishëm punën, pasi viti që vjen do të jetë një vit zgjedhor dhe se Partia Demokratike duhet të mbështetet të forcat e saj dhe jo tek partitë e tjera, duke qenë se elektorati i saj është më i madh. Po ashtu, mësohet se lideri demokrat gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve ka informuar krerët e degëve se ka shumë presione nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim, zyrtarë të së cilës i kërkojnë me ngulm rikthimin e protestave anti-qeveritare dhe heqjen dorë nga flirtet me Partinë Socialiste. Madje, sikundër pohuan burimet, Basha ka zbuluar se LSI e bën fajtor atë për djegien e mandateve, duke qenë se ky vendim u mor me shpresën se do të rrëzonin qeverinë. Kështu që, i ndodhur përpara kësaj situate, mësohet se Basha është shprehur i prerë se protestat kanë kaluar në plan të dytë, duke qenë se nuk dhanë rezultatin e pritshëm. Pra, përmes kësaj deklarate Basha ia ka mbyllur derën kryetares së LSI, Monika Kryemadhit, duke mos i marrë në konsideratë asnjë nga kërkesat e saj.

PD refuzon zyrtarizimin e koalicionit me LSI

Por përveç mosgjetjes së konsensusit sa i takon aksionit opozitar dhe nisjes së protestave anti-qeveritare, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ndahen me njëra-tjetrën edhe për bashkëpunimin në opozitë. Sipas informacioneve, mësohet se kryedemokrati Lulzim Basha në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve iu ka bërë të qartë vartësve të vetë se Kryemadhi i ka kërkuar me ngulm që PD dhe LSI të nënshkruajnë një koalicion zyrtar. Madje, të njëjtët burime theksuan se Basha është shprehur se Kryemadhi ia kërkon zyrtarizimin e koalicionit, me arsyetimin që të jenë të barabartë si para, ashtu edhe pas zgjedhjeve, duke qenë se viti 2020 flitet se do të jetë një vit zgjedhor. Por nga ana tjetër, mësohet se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu ka bërë të qartë se vartësve të vet në takimin e dy ditëve më parë se është herët për të pasur një koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe se me këtë forcë politike i bashkon vetëm fakti se kanë një “armik” të përbashkët, që është qeveria me në krye kryeministrin Edi Rama. Thënë troç, kryedemokrati Basha ka refuzuar zyrtarizimin e koalicionit me LSI.

Plas konflikti edhe për reformën zgjedhore

Interesant është fakti se mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka plasur një konflikt edhe sa i takon reformës zgjedhore, çështje kjo që është prekur edhe nga kryedemokrati Lulzim Basha në mbledhjen e dy ditëve më parë në Kolegjin e Kryetarëve. Burime nga kjo mbledhje i pohuan gazetës se lideri demokrat ka zbuluar para vartësve të vetë se PD po punon për reformën zgjedhore dhe se ky projektligji do të jetë gati në fillim të janarit. Në këtë kontekst, mësohet se Basha është shprehur se ky projektligj për reformën zgjedhore është prodhim i selisë blu. Pra, kjo deklaratë e Bashës tregon qartë se LSI dhe PD kanë përplasje edhe për reformën zgjedhore. Madje, ajo që i vë kapak kësaj është fakti se edhe Lëvizja Socialiste për Integrim po punon më vete për reformën zgjedhore. Ishte ish-deputetja Silva Caka, e cila deklaroi tre ditë më parë se në janar do të bëhet publik produkti i përgatitur nga LSI për reformën zgjedhore.

Veritas.com.al/