Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka quajtur votimet në Dibër një produkt “i kartelit të drogës”.
Të Dielën, më 11 Shtator, në Dibër u zhvilluan zgjedhje të pjesshme për kryetarin e Bashksië, i cili u largua nga detyra nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Në këto zgjedhje garën e fitoi kandidati i Majtë, i koalicionit qeveritar, Muharrem Rama.
Basha, në emër të PD (në opozitë) deklaroi se fitorja u arrit “nëpërmjet shantazheve dhe blerjes së votës”.
“Karteli i drogës e fitoi këtë betejë, por zbuloi skemën para Dibrës dhe gjithë Shqipërisë. Fatkeqësisht në këtë betejë fitoi karteli i krimit dhe humbi politika. Sot në Dibër humbi Shqipëria, humbi politika e ndershme, humbi dinjiteti njerëzor. Në Dibër humbën dhe ata që votuan për Muharrem Ramën, koha do ta tregojë. Ne i humbëm zgjedhjet në Dibër edhe në vitin 2015.
Sot ne humbëm para kartelit të drogës dhe krimit në pushtet. I kuptoj të gjithë ata që zgjodhën të votojnë të keqen, u premtoj se do të luftoj edhe për lirinë e tyre nga varfëria. Do luftoj që jeta e tyre të mos varet nga politika. Ne bëmë më të mirën që mundëm. Zgjodhëm një kandidat të shkëlqyer. Sherefedin Shehu është model i shkëlqyer, ndaj dua ta falënderoj për kontributin e tij. Falënderoj të gjithë ata që na dëgjuan, na pritën e ne mbështetën”, tha kryetari i PD.
Nga dita e sotme, Lulzim Basha tha se Partia Demokratike dhe opozita shqiptare i kanë shpallur luftë të hapur në të gjitha frontet këtij “karteli droge që fitoi në Dibër” dhe që sipas kryedemokratit po qeveris të gjithë vendin.
“I shpallim sot luftë totale kartelit të drogës dhe korrupsionit me shumë besim se e ardhmja është në duart tona. Do të fitojë Shqipëria demokratike dhe europiane”, deklaroi Lulzim Basha.