Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha,  tha nga Çadra e Lirisë se kryeministri Edi Rama preku fundin e tij politik në takimin elektoral të Kavajës.

Reagimi vjen ndërkohë që pak më herët, Rama zhvilloi një takim në këtë qytet ku më 7 maj pritet të zhvillohen zgjedhjet lokale.

“Sot, Edi Rama është rikthyer me fjalë më akte, me gjeste aty ku shqipëria ishte 27 vite më parë. Është kthyer në shëmbëlltyrën e shëmtuar të diktaturës komuniste. Sot është një ditë e dëshpëruar për Edi Ramën, i cili e provoi këtë para njerëzve të Kavajës, para nxënësve, mësuesve, prindërve. Urdhëroi si askush në 27 vite, mobilizimin me forcë të nxënësve, mësuesve duke I kërcënuar dhe detyruar për të marrë pjesë në takimin me të”.

Basha më pas u shpreh se Rama u detyrua të emërojë sot Ilir Metën president, edhe pse sipas tij e ka shitur dhjetëra herë në kacelaritë evropiane si njeri destabilizues në vend.

“Sot është një ditë e dëshpëruar për Edi Ramën, pasi u detyrua të shpallë rivalin e tij president. Ka nënshkruar sot aktin e dëshpërimit. Rama ngriti dosje anembanë botës për Ilir Metën. Ky është pazari i fundit që mban në këmbë aleancën. Presidenti i ri, peng i republikës së vjetër”.

Po ashtu, Basha përësëriti Vettingu do të bëhet vetëm pas krijimit të qeverisë teknike dhe se zgjedhjet e lira do të zhvillohen pa Ramën kryeministër.