Bashkimi Evropian ka dërguar grupe shpëtimi në Turqi, për të ndihmuar me emergjencën e krijuar pas tërmetit shkatërrues, i një magnitude prej 7.4 i shkallës Rihter, i cili goditi në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë.
Lajmin e ka bërë me dije komisioneri Janez Lenarcic, i cili përmes një postimi në Twitter, ka shpjeguar se është vënë në lëvizje në ndihmë të Turqisë, i gjithë mekanizmi i Qendrës së Koordiniit të Përgjigjes nga Emergjencave.
Vetë Turqia e pati kërkuar në mënyrë fillestare nxitjen e mekanizmit.
Teksa, një nevojë urgjente, është edhe ajo për dhurim gjaku, ku Kryqi i Kuq turk ka bërë thirrje për gjithë vendet e Evropës, që të dhurojnë e më pas dërgojnë sa më shumë gjak të munden, për të ndihmuar emergjencën e krijuar dhe të plagosurit.
Po ashtu, thirrje u është bërë të gjithëve pranë vendeve të prekura, që të largohen prej godinave të dëmtuara, pasi ka rrezik të madh për paslëkundje dhe shembje të tyre.
Nga ana tjetër, në Siri, presidenti Bashar Al-Assad, ka mbledhur menjëherë kabinetin e tij, për t’iu adresuar emergjencës, pasi 320 persona deri tani janë raportuar të kenë humbur jetën aty.
Me kërkimet në vazhdim, raportimet vendore tregojnë një numër prej të paktën 284 personash, të cilët kanë humbur jetën në Turqi.
Teksa, në Siri, bilanci është edhe më tragjik, me 320 të vdekur dhe 639 të plagosur deri tani.
Këto shifra, të vërtetuara edhe nga ministritë përkatëse të shëndetësisë.
Tërmeti goditi në orën 04:17 me atë lokale, në një thellësi prej 17.9 kilometrash, pranë qytetit Gaziantep, por në realitet të prekur kanë qenë 10 qytete në tërësi, përfshi edhe Diyarbakir-in.
Shumë prej ndërtesave janë shembur dhe qindra ekipe kërkim-shpëtimi ndodhen në terren për të bërë të mundur evidentimin e çdo të mbijetuari, apo trupi që ka humbur jetën.
Në një deklaratë për media, ishte ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu, ai i cili bëri një bilanc paraprak, duke përsëritur se qytetet e prekura nga ana turke ishin Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.
Nga ana tjetër, në Diyarbakir, është raportuar nga korrespondetët e medias shtetërore britanike BBC, se një qendër e tërë tregtare është shembur, por nuk dihet nëse brenda saj kishte punëtorë të shumtë apo jo.
Prej anës siriane, raportimet janë më të pakta dhe priten përditësime mbi shifrat e humbjes së jetëve dhe dëmeve të shkaktuara.
Lëkundjet e forta u ndjenë gjithashtu në Liban dhe Qipro. Ndërsa, sizma më të lehta, janë ndjerë edhe në Lindjen e Mesme, me raportime deri në Rripin e Gazës, ku ka pasur tronditje për rreth 45 sekonda.
Turqia bën pjesë në një rrip sizmik, ndër më aktivët në gjithë botën dhe të tilla tërmete, nuk janë të rralla atje.
Në vitin 1999, më shumë se 17 mijë njerëz humbën jetën, pasi një tërmet i fortë goditi veri-perëndimin e vendit.