Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë është një shembull i mirë për të zgjidhur çështjet e emigracionit. Në një letër të drejtuar anëtarëve të unionit, presidentja e komisionit evropian, Ursula Von Der Leyen thekson se marrëveshja mes dy vendeve është një “model” që respekton të drejtat ndërkombëtare.

“Në muajt e fundit kemi qenë dëshmitarë të nismave të rëndësishme të promovuara nga shtetet anëtare, siç është marrëveshja operacionale mes Italisë dhe Shqipërisë. Është një shembull i të menduarit jashtë kutisë, bazuar në një ndarje të drejtë të përgjegjësive me vendet e treta, në përputhje me detyrimet e përcaktuara nga ligji ndërkombëtar dhe ai i BE-së.”, tha Von der Leyen.

Zyrtarja e lartë e komisionit deklaroi se duhet të eksplorohen forma të ndryshme bashkëpunimi me vendet partnere mbi bazën e interesit të ndërsjellë. Edhe pse nuk e komentoi vendimin e gjykatës, zëvendëskryeministri njëkohësisht ministri i Jashtëm Antonio Tajani, nuk u shpreh i shqetësuar.

“ Nuk jam i shqetësuar për vendimin e kushtetueses në Shqipëri për emigrantet. Mendoj se është një çështje ligjore që do të zgjidhet shpejt, por nuk na takon ne të komentojmë vendimet e gjykatës së një vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi Tajani.

Në lidhje me vendimin e gjykatës foli edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se institucioni i drejtësisë po zbaton një të drejtë kushtetuese për të shqyrtuar një marrëveshje ndërkombëtare para ratifikimit.

Të martën Gjykata Kushtuese mori vendimin për të shqyrtuar padinë e bërë nga deputetët e opozitës për marrëveshjen me Italinë për emigrantët. Në këtë mënyrë, është pezulluar procedura e ratifikimit në Kuvend.

Marrëveshja parashikon ngritjen e dy qendrave të emigrantëve në Shqipëri, ku do të pranohen deri në 36,000 emigrantë në vit.