Nga: Veritas.com.al/

‘Gjithë të tjerave’… do të thotë ‘ gjithë ngjyrave të tjera’, përveç vjollcës.

Ben Blushi, tash më në fund, por jo pozita e fundit- emërtohet si drejtor i Përgjithshëm i Top Channel, ku ka për mbështetje Vjollca Hoxhën- presidente, pasardhëse e një burri që thonë se ‘i rrojnë akoma skemat’ televizive edhe pas 10 vjet në atë jetë. Beni ka ardhur këtu në TCH jo për ‘skema profesionale’, madje as analistët e Showbiz-it nuk e kanë gjetur akoma nëse Blushi është gazetar apo nuk është, është shkrimtar apo nuk është, është politikan apo nuk është, është televiziv apo printues…

Vetë Blushi nuk ua jep shansin njerëzve, që nga survey i gjerë deri në rrethin e ngushtë, që të njohin cili është Beni i vërtetë…. Vjollca- presidente ka rastisur që të ketë emër ngjyre, por Blushi do të kapërcejë mbi këtë ngjyrë edhe pse nënkupton simbolin e Partisë së tij Socialiste. Sa gazetar edhe jo, sa politikan edhe jo, sa principial edhe aspak, sa i drejtpërdrejtë edhe i skutave, sa i fjalës edhe i pabesisë…. Të gjithë ata që e kanë favorizuar ose kanë pasur të bëjnë me Benin, një ditë e kanë vuajtur ligësinë e tij: Nano, Meta, Rama…, dhe tani e ka radhën Vjollca.

Armët me të cilat Blushi del në pyllin e gjuetisë: 

Çomanga më e fundit është Televizioni Top Channel. Mund të kisha thënë “arma më e fundit”,  por do të tingëllonte sikur Blushi bën luftë moderne… Jo, ai përdor armët primitive të luftës. Me anë të ekranit të Dritan Hoxhës, sulmon rivalët, bizneset e suksesshme, projektet e gjalla, planet me shpresë, punët moderne… Kur e zënë ngushtë ata që preken prej armës së tij primitive, ai tërhiqet e thotë “jo unë,  nuk di kush, por jo unë…., nuk thashë gjë për ty”.  Me Vjollcën- siç duket e ka të lehtë t’i shkatërrojë imazhin e Televizionit, që mund të kthehet nga TCH në një ‘kafaz pëllumbash’ nëse mbetet në dorë të Benit.

Në fund të fundit, Blushit nuk i intereson nëse Televizioni rron apo nuk rron si medie e kohës. Interesi për TCH është ta përdorë si armë për luftën e tij.  Deri ditën që TCH do të bjerë në gjunjë në një rrënojë të fshatit Yzberish, Beni do të ketë ikur larg; o në politikë përsëri, o në një ‘kasolle’ tjetër mediatike. Pas vjollcës, ka plot ngjyra të tjera në spektër. Fillimisht përdori gazetën e parë anti- komuniste “RD’, por aty ‘iu zu fryma’ dhe pas një muaji deklaroi se ishte ‘i majtë’ në një gazetë anti- komuniste. Pastaj përdori gazetën “Koha Jonë’, të cilën e shiti të George Soros dhe  përçau; krijoji gazetën ‘Indipendent’, mori gazetarët e Nikollë Lesit dhe një ditë i la në mes të rrugës. Gazetën e shiti për vete, jo për shokët ‘rebelë’. Pas ‘Kohës…’ u lidh me burgun e Tepelenës ku vuante Fatos Nano dhe me Gaz Demin që kishte para dhe frymë te Fatosi… Sa kohë që Nano ndodhej në qelli, Blushi e konsideronte ‘viktimë’; pasi u bë kryeministër e përdori i ‘djalë tezeje’. Fatosi e bëri deputet, ministër, shef kabineti… Në vitin 2005, kur Rama hëngri Fatosin, Blushi nuk u pa në barkun e ‘balenës’ por në zemër të saj: Blushi- Rama ishin së bashku kundër Fatosit…

Blushi nisi të shkruajë libra, njësoj si gjyshi Shuteriqi. Disa zëra që kishin njohur gjyshin Shuteriqi thanë nën zë se ‘Beni ia ka vjedhur librat gjyshit’… Fenomeni vjen që nga periudha e diktaturës, kur ‘gjuhëtarët’ tanë u bënë të famshëm sepse rrëmbyen me dhunë studimet e jezuitëve katolikë shqiptarë…

Shtatgjatësinë e Edi Ramës e përqeshi shpesh herë, jo si nocion estetik, por mbi të gjitha si një masë më të madhe se Fatos Nano e Ilir Meta; Ramën nuk mundi ta hajë kurrë… La Ramën dhe PS dhe i hyri një partie të re me emrin ‘Libra’ ku hëngri një zonjë pedagoge dhe lider politike. Vetë Partia me ngjyrë të verdhë u bë zero në momentin kur para Blushit doli Vjollca- ngjyra e tanishme ku është ankoruar… TCH do të jetë një nga armët që përdori deri më sot.

(Vijon…)