Benjamin Netanyahu të enjten e 29 dhjetorit është betuar lider i asaj që ka të ngjarë të jetë qeveria më e djathtë e vendit në histori.
Ai rikthehet me mbështetjen e disa figurave të ekstremit të djathtë, të cilët dikur ishin futur në skajet e politikës izraelite, pasi formoi një koalicion pak para afatit të javës së kaluar.
Anëtarët e partisë Likud të Netanyahut do të plotësojnë disa nga postet më të rëndësishme të kabinetit, duke përfshirë ministrin e Jashtëm, ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin e Drejtësisë.
Por një numër politikanësh nga e djathta ekstreme e spektrit politik të Izraelit u vendosën të emëroheshin në poste ministrore, pavarësisht polemikave mbi pozicionet e tyre gjatë parazgjedhjeve të nëntorit, të cilat u fituan nga një bllok ultra-nacionalist dhe i udhëhequr nga Netanyahu.
Itamar Ben Gvir, një ekstremist i cili është dënuar për mbështetje të terrorizmit dhe nxitje të racizmit anti-arab, do të marrë një rol të zgjeruar rishtazi të sigurisë publike, i riemërtuar ministër i sigurisë kombëtare, mbikëqyrës i policisë në Izrael plus disa aktivitete policore në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Bezalel Smotrich, lideri i partisë së sionizmit fetar, është emëruar ministër i Financave dhe i është dhënë gjithashtu pushteti për të emëruar kreun e Koordinatorit të Aktiviteteve Qeveritare në Territore (COGAT), një njësi ushtarake izraelite e cila ndër detyrat e saj merret dhe me kalimet kufitare edhe lejet për palestinezët.
Gjatë fushatës së tij, Smotrich kishte propozuar një sërë reformash drastike ligjore, të konsideruara nga shumë kritikë si një mënyrë e qartë për të dëmtuar pavarësinë e gjyqësorit. Kjo përfshin heqjen e aftësisë për të akuzuar një nëpunës publik për mashtrim dhe shkelje të besimit – një akuzë me të cilën përballet Netanyahu në gjyqin e tij të vazhdueshëm për korrupsion.
Netanyahu është deklaruar i pafajshëm dhe e ka quajtur atë gjyq një “gjueti shtrigash” dhe një “tentativë për grusht shteti”, dhe ka bërë thirrje për ndryshime në sistemin gjyqësor të Izraelit.
Aryeh Deri, kreu i partisë ultra-ortodokse Sefardi Shas, do të shërbejë si ministër i brendshëm dhe ministër i shëndetësisë.
Ndërsa ministrat e rinj po përgatiteshin të bënin betimin në Knesset, parlamenti i vendit, rreth 2, mijë demonstrues u mblodhën jashtë për të protestuar kundër kthimit të Netanyahut në detyrë, tha zëdhënësi i Policisë së Jerusalemit.
Zhvendosja djathtas në qeverinë izraelite ka ngritur vetullat jashtë dhe brenda. Të mërkurën, mbi 100 ambasadorë izraelitë në pension dhe zyrtarë të ministrisë së jashtme shprehën shqetësime për qeverinë e ardhshme të Izraelit në një letër të nënshkruar drejtuar Netanyahut.
Ish-diplomatët, përfshirë ish-ambasadorët në Francë, Indi dhe Turqi, shprehën “shqetësim të thellë për dëmtimin serioz në marrëdhëniet e jashtme të Izraelit, pozitën e tij ndërkombëtare dhe interesat e tij thelbësore jashtë vendit, që rrjedhin nga ajo që me sa duket do të jetë politika e qeverisë së ardhshme”.
Netanyahu ishte tashmë kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, pasi kishte mbajtur më parë këtë post nga viti 2009 në 2021 dhe më parë për një mandat në fund të viteve 1990.