Statistikat e nxjerra nga Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) dhe database www.politike.al mbi diskutimet parlamentare të periudhës janar – korrik 2016 japin të dhëna interesante. Numerikisht, drejtuesit e seancave plenare, Meta – Leskaj – Idrizi dhe Spaho figurojnë edhe folës teknikë në shumicën e seancave. Vetëm në tri raste ata kanë kërkuar fjalën për të folur si deputet, në të gjitha rastet e tjera kanë komentuar duke qenë drejtues séance, pra për shkak të detyrës.

Kjo e bën të pamundur përfshirjen e tyre në renditjen e deputetëve më me shumë fjalime në parlament. E njëjta logjikë vlen edhe për dy drejtuesit kryesorë të grupeve parlamentare, Gramoz Ruci dhe Edi Paloka, të cilët në asnjë rast nuk kanë kërkuar fjalën si deputet, por gjithnjë kanë folur me cilësinë e kryetarit të grupit. Interesant është fakti se midis dy kryetarëve të grupeve rrallë ka debat, duke ia lënë vendin, rivalitetit të ashpër midis protagonistëve të tjerë partiakë, sipas listës poshtë.

Në listën e deputetëve më me shumë prezencë e fjalime dukshëm dominon ish kryeministri Sali Berisha, me 18 diskutime në 27 seanca parlamentare. Në 8 seanca Berisha nuk ka qenë prezent, kurse në një seancë, atë të 21 korrikut mbi ndryshimet kushtetuese dhe reformën në drejtësi, ai ka qenë prezent por nuk ka folur. Referuar statistikave në të paktën 10 raste Berisha ka ri¬marrë fjalën më shumë se një herë, duke dominuar minutazhin e debatit politik parlamentar dhe duke lënë në hije drejtuesin e grupit të tij parlamentar. Në vendin e dytë pas Berishës, janë dy figura të PS, por kritike ndaj njeri tjetrit, Tauland Balla dhe Ben Blushi me nga 15 diskutime në 27 seanca parlamentare. Balla zakonisht figuron folës gjithnjë pas Berishës ose Topallit, dhe rrallë ai e kërkon fjalën për diskutim pavarësisht listës nga opozita. Në replika politike dukshëm Balla shfaqet si përfaqësues politik i grupit parlamentar, pozicion i cili sic duket, i është besuar edhe nga Ruci.

Blushi është folës i rregullt i pranverës dhe verës parlamentare, sidomos pas qëndrimeve të tij kritike ndaj vijës zyrtare politike në PS e qeveri të kryeministrit & kryetarit të PS. Në vijim lista ka emrin e ish kryetares, J.Topalli, gjithashtu folëse me gjuhë politike dhe në sinkron me ish kryetarin Berisha. Ajo ka 14 diskutime, por më shumë se gjysma figurojnë diskutime momenti, pra të nxitura nga debati në seancë.