Ndonëse nuk ishte i pranishëm në sallë dhe të votonte me fuqinë e kartonit, Lulzim Basha tha se do të mbështesë gjithmonë SPAK dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia, e këtu nuk bën përjashtim as Sali Berisha, dikur aleati i tij më i ngushtë, sot kundërshtarë. Edhe pse kishte bërë një raport të posaçëm pasi votoi pro në Këshillin e Mandateve, as Lulzim Basha dhe as Enkelejd Alibeaj nuk ishin të pranishëm në seancë.
Mungesën e tij në Kuvend, Basha e argumenton me kaosin e krijuar jo vetëm gjatë kësaj të enjteje, por edhe në seancat e së shkuarës. Sipas tij, ajo se çfarë është parë në Kuvend, ku nuk është lejuar zhvillimi normalisht i punimeve, janë skenare për t’i ikur drejtësisë, e për rrjedhojë thekson se ai vetë, por as deputetët që e mbështesin, ndonëse jo shumicë, nuk do të bëhen kurrë pjesë.
“Deputetët e PD-së mbeten të vendosur në mbështetjen e SPAK dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia. Ky është standard i vendosur dhe do të ndiqet gjithmonë nga PD-ja dhe deputetët e saj. Mosfunksionimi normal i seancave parlamentare pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin e grupit parlamentar të PD-së pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha.
Deputetët e PD-së nuk do të bëhen kurrë pjesë e skenarëve të përgatitura nga Edi Rama dhe Sali Berisha per t’i perdorur si argument për t’i ikur drejtësisë. Ata bënë gjithçka për të bllokuar dhe defunksionalizuar drejtësinë por nuk ia dolën. Shfaqja e shëmtuar që dyshja Rama Berisha u ofron çdo të enjte shqiptarëve, mungesa e debatit dhe bllokimi i jetës parlamentare janë akte që i shërbejne një qeverie të dështuar dhe një segmenti opozitar që së bashku përpiqen t’i fshihen drejtësisë.
PD është e vendosur në mbështetjen ndaj SPAK dhe hetimeve të thella, të drejta dhe të paanshme për të gjjthë ata qeveritarë apo ish-qeveritarë që kanë shpërdoruar besimin e shqiptarëve dhe përvetësuar pasuritë e tyre. Çdo lloj aleance e dukshme e kullave, apo e padukshme për t’i bërë bisht drejtësisë nuk do mund ta mbajë peng PD-në dhe misionin e saj për t’i dhënë shqiptarëve normalitetin, sigurinë dhe mirëqenien që meritojnë”, thuhet në njoftim.
Ky reagim, vjen pasi në më pak se 8 minuta, pa asnjë surprizë, me 75 votat e mazhorancës, Kuvendi miratoi heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit, duke i hapur rrugë arrestimit të tij me akuzën për korrupsion pasiv duke hapur kështu rrugën për arrestimin e tij.