Prej disa ditësh, deputetë e aktivistë të PD si dhe njerëz të paangazhuar politikisht, kanë kërkuar në media që “Berisha të flasë” për gjendjen në PD.

Partia demokratike, pas humbjes së thellë në zgjedhje, hyri në një situatë tjetër të vështirë: Zgjedhjen e  kryetarit përmes debateve dhe përçarjes brenda PD. Grupi që ka kontestuar zgjedhjet ka thënë se ‘këto janë zgjedhje farsë’. Kryetari Basha, i cilësuar si fajtor i humbjes nuk pranoi të japë dorëheqjen; periudha e zgjedhjeve ishte e ngutshme dhe e shkurtër në kohë, kandidati përballë Bashës është dyshuar si ‘marionetë’ e vetë kryetarit fajtor…

Pas heshtjes së gjatë, ish- kryetari i PD dhe ish- kryeministër, Berisha, ka folur sot menjëherë pasi ka hedhur votën për kryetarin e ardhshëm të PD.

I pyetur rreth zgjedhjeve ‘jashtë statuore’ në PD, Berisha ka kritikuar dy nënkryetarët e PD, Edi Palokën dhe Edmond Spahon, për shpalljen e datës së zgjedhjeve.

Pjesë nga fjala e ish-kryeministrit Sali Berisha:

“Një gabim të zotit Paloka dhe zotit Spaho që shpallën datën, por ky gabim u korrigjuar nga kryesia e PD. Data e shpallur 4 vite më parë ka qenë pas mbledhjes së kryesisë. Kryesia e PD e diskutoi datën dhe me shumicë votash, vendosi të zhvillohen sot zgjedhjet në PD.

Procesi është zhvilluar sipas statusit të PD. Kam pasur mirëkuptim të plotë për të gjitha kërkesat, si për dorëheqjen e kryetarit dhe shtyrjen e datës, por mendoj se ky proces është në përputhje me statusin e PD.

Pse unë nuk kam folur përveç se në fillim. Nuk kam folur sepse unë kam djhënë një dorëheqje pa rikthim e këtë që e kam bërë, e kam bërë me vetëdijen e plotë. Përveç atij që ka gjithë fuqitë, fuqi tjetër nuk më rikthen dot.

Janë me mijëra demokratë që më kanë kërkuar të rikthehem, por i jam mbajtur vendimit që kam marrë.

PD është në vështirësi serioze. Ajo ka pësuar humbjen më të thellë në historinë e saj. Mesazhi im për demokratët është ky: Humbje fatale nuk ka, humbjet janë të thella, por humbjet fatale i bën ti me dorën tënde. Ftoj çdo njeri që e do këtë parti të punojë me përkushtim për një strategji të re që e kthen PD në forcë të sigurtë të pushtetit të ardhshëm. Kjo është plotësisht e mundshme, por kalon nëpërmjet bashkimit.

Të bëhen të gjitha përpjekjet nga kryetari i ardhshëm i PD. Nuk ka humbje fatale nëse nuk e bëni vetë. Por aq fatale është dehja në humbje. Duke u zhveshur nga emocionet do të gjendet mençuria, vullneti e përkushtimi për një strategji të re fitimtare të PD, që PD të rikthejë besimin tek elektorati i saj dhe tek shqiptarët.

Unë nuk mund të kërkoja dorëheqjen e kryetarit, sepse nuk e ka të shkruar në statut. Është normale të kërkosh edhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, por këtë e rregulloi kryesia”.

Veritas.com.al/