Për Gjermaninë integrimi i Ballkanit perëndimor në bashkimin evropian është i domosdoshëm. Në një përpjekje për të ruajtur sigurinë evropiane, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e sheh pranimin e vendeve të rajonit në Union si vendimtare, duke marrë shkas edhe nga lufta e vazhdueshme ruse në Ukrainë për gati dy vjet.
“Në një botë në të cilën krizat dhe konfliktet po afrohen në fqinjësinë e afërt të Evropës, ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian që do të veprojë shpejt dhe me vendosmëri. Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin plotësisht Bashkimit Evropian. Kjo nuk është një frazë boshe, por për interesat tona të sigurisë – në Lubjanë, në Berlin dhe në mbarë Evropën. Kjo kërkon reformat e nevojshme në vendet që duan të bëhen pjesë e familjes evropiane. Por BE-ja duhet ta mbajë fjalën dhe të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e zgjerimit kur të plotësohen kushtet.”
Sipas diplomates gjermane, blloku evropian nuk mund të përballojë të ketë aktualisht një “zonë gri”, edhe për këtë arsye kërkon reforma më të fuqishme për zgjerimin.
“Duke pasur parasysh imperializmin rus, BE-ja nuk mund të përballojë asnjë zonë gri në mes të Evropës. Së bashku me Slloveninë, ne po punojmë në reformat në BE për të vendosur rrugën për një Union të zgjeruar. Progresi në politikën e zgjerimit dhe reformat e brendshme të BE-së duhet të ecin paralelisht”.
Të gjashtë vendet të Ballkanit aspirojnë të anëtarësohen në bashkimin evropian, megjithatë janë në faza të ndryshme. Unioni është tashmë në negociata me, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Malin e Zi lidhur me anëtarësimin e tyre. Bosnja dhe Hercegovina konsiderohet kandidate, ndërsa Kosova kandidate potenciale.