Nga: Deutsche Welle/

Në një prononcim për Deutsche Welle-n Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë thotë se “platforma e duhur për zgjidhjen e konflikteve politike është parlamenti.”

Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e quan të gabuar djegien e mandatevetë deputetëve të opozitës. Në një prononcim për Deutsche Welle-n të enjten (21.02.) në mbrëmje në Berlin, Ministria e Punëve të Jashtme shprehet se “platforma e duhur për zgjidhjen e konflikteve politike është parlamenti.”

“Po i ndjekim me shumë vëmendje zhvillimet aktuale politike në Tiranë. Bojkotimin e Parlamentit dhe në veçanti dorëheqjen e deputetëve e konsiderojmë të gabuar. Platforma e duhur për të zgjidhur konfliktet politike është Kuvendi. Ngecja në vend nuk është opsion për Shqipërinë e sidomos kur Shqipëria është në pritje të vendimit të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit”, thuhet në deklaratë.

Sot ministria e Jashtme e Gjermanisë ka kërkuar që akuzat të gjykohen nga drejtësia

Ministria e Jashtme gjermane thekson në një deklaratë tjetër të premten për Deutsche Welle, se akuzat për zgjedhjet duhet të trajtohen nga drejtësia dhe parlamenti.

Pas deklaratës së djeshme të Berlinit zyrtar për “djegien e mandateve” nga deputetët e opozitës shqiptare, Deutsche Welle e pyeti Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme edhe për protestat e opozitës. Përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme është si më poshtë:

“Akuzat që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të mëparshme duhet të trajtohen dhe të gjykohen nga organet e drejtësisë dhe parlamenti. E drejta për të demonstruar është një element i rëndësishëm i kushtetutës demokratike. Megjithatë, dhuna, siç e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira, që të ndihmojnë që protestat e mëtejshme të jenë paqësore.”

Veritas.com.al/