“Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave”. Duke shqiptuar këtë fjali dhe me dorën në Kushtetutë, Kryeministri Rama e me radhë pas tij Zv. kryeministri Ahmetaj, 12 ministret dhe 3 ministrat u betuan sot para Presidentit të Republikës për të marrë zyrtarisht detyrën në këtë mandat të tretë qeverisës të socialistëve.  E pranishme në ceremoni ishte edhe kryeparlamentarja, Lindita Nikolla.

Menjëherë pas betimit të gjithë bashkë, siç tashmë është bërë traditë nga Rama edhe në 2 mandatet e kaluara, të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave u drejtuan në këmbë për në Kryeministri.

Pas 2 fotove të rastit, një në hyrje të Kryeministrisë e tjetra në sallën e hartave,  filloi menjëherë mbledhja e parë.

Dhe mesazhet në këtë mbledhje të parë Rama i kishte të drejtpërdrejta për vartësit e tij. Teksa ia numëroi si ‘vija të kuqe’ ministrave Kryeministri i kujtoi atyre të gjitha rregullat në Kodin e Etikës, i cili sipas tij duhet të respektohet dhe s’do të ketë asnjë tolerim.

Rama e kishte edhe një mesazh për opozitën në kërkesën që pati për të gjithë kur tha se nuk do të ketë më asnjë debat në formatin e vjetër dhe nuk do të tolerohet më asnjë ‘e lagu s’e lagu’ me ta. Ndërkohë që kërkoi më shumë respekt për Kuvendin nga ana e ministrave.

Në këtë mbledhje të parë Qeveria merr 16 vendime të rëndësishme, ku ka spikatur ai për punësimin e kampioneve olimpike të Kosovës te Forcat tona të Armatosura, krijimin e Agjencisë për Mediat dhe Informimin si dhe shpërblimin me pagën e prindërve të tyre deri në moshën 18-vjeç e fëmijëve të mjekëve dhe infermierëve që humbin jetën nga COVID.

Qeveria “Rama 3” u miratua me 77 vota pro në Kuvend mëngjesin e djeshëm, pas një seance maratonë diskutimesh, ku u prezantua programi i ri qeverisës për katër vitet e ardhshme.