Giuseppe Conte dhe Mario Draghi
Qeveria italiane e Mario Draghit është rrëzuar! Kryeministri italian ka paralajmëruar dorëheqjen pas krizës politike të krijuar nga largimi i ‘Lëvizja 5-Yje’. Kryeministri italian tha se mocioni i mosbesimit ishte shumë domethënës nga pikëpamja politike, pasi shumica që e ka mbështetur këtë qeveri nuk është më. Sipas Draghit pakti i besimit që qëndron në themel të qeverisë ka dështuar dhe se shumica qeverisëse nuk ekziston më.
Më herët pati një mocion besimi në Dhomën e Lartë të Parlamentit, në Senat, për masat që synojnë të ndihmojnë në përballimin e krizës së kostos së jetesës. Pavarësisht se Lëvizja 5-Yje zbatoi vendimin e saj për të bojkotuar votimin, mocioni u miratua me 172 vota pro dhe 39 kundër. Por me largimin e ‘5 yjeve’ s;ka shumicë parlamentare, fakt që e ka detyruar Krryeministrin italian të largohet. Tashmë zgjidhja e krizës politike në Itali është në dorë të Presidenti, Sergio Mattarella. Vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Tensioni me liderin e Lëvizjes Pesë Yje
Giuseppe Conte akuzoi Draghi se nuk po bën mjaftueshëm për të trajtuar krizën e kostos së jetesës. Mocioni i besimit i marrë nga Draghi lidhet me votimin për paketën e ndihmës financiare prej 23 miliardë eurosh për familjet dhe bizneset. Pavarësisht përpjekjeve të bëra mëngjesin e sotëm për zgjidhjen e krizës, Draghi këmbëngul se nuk do ta vazhdojë qeverinë pa Lëvizjen Pesë Yjet. Zhvillimet nervozuan investitorët, duke bërë që bursa e Milanos të bjerë me 3%. Lëvizja Pesë Yjet ishte fillimisht më e madhja në koalicionin qeverisës. Megjithatë, pas një sërë largimesh dhe një rënie në votime, partia po përpiqet të rifitojë një pjesë të terrenit të humbur. Ish-drejtuesi i pesë yjeve, Luigi Di Maio akuzoi ish-partinë e tij për një komplot cinik për të rrëzuar qeverinë për të fituar mbështetje, duke e tërhequr në të njëjtën kohë Italinë në kolaps ekonomik dhe social.
Skenarët pas dorëheqjes
“Super Mario” u emërua kryeministër nga Sergio Mattarella, me qëllim që Italia të shërohet nga pandemia dhe të përballet me problemet e vendit. Megjithatë, një vit më vonë, Draghi është zhytur në një parlament të fragmentuar. Në Itali, zgjedhjet priten në gjysmën e parë të vitit 2023. Megjithatë largimi i Mario Draghi bën që italianët të mund thirren në votime në vjeshtë, gjë që është e pazakontë në Itali, sepse atëherë qeveritë paraqesin buxhetet e tyre. Komisioneri i Ekonomisë Paolo Gentiloni, i cili në të kaluarën ka shërbyer edhe si kryeministër i Italisë ka deklaruar me shqetësim dhe befasi per ngjarjet politike të Komisionit Evropian në Itali. “Stabiliteti është një vlerë më vete dhe duhet qëndrueshmëri në këtë moment. Komiteti po ndjek zhvillimet (në Itali) me përkushtimin e duhur, por me shqetësim dhe habi”, u tha ai gazetarëve.