Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët përpara takimit me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku kanë folur mbi situatën e fundit në Ukrainë dhe masat kundrejt Vladimir Putinit.

Blinken ka qenë i ashpër në fjalën e tij, duke theksuar se jo vetëm jetët e ukrainasve janë në fije të perit, por e gjithë siguria botërore.

“Ne kemi vendosur një standard paqeje në vendet perëndimore, që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”, theksoi Blinken. “Kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë. Një shtet nuk mund të diktojë çfarë të dëshirojë”.

Më tej, sekretari i Shtetit ka theksuar se nëse Rusia lejohet të veprojë në këtë mënyrë, atëherë të gjithë shtetet mund të veprojnë njësoj, duke sjellë rreziqe të mëdha.

Megjithatë, partneritetin me Evropën, ai e ka vlerësuar si ndër pikat më të larta të çastit.

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Borrell, në një fjalë të shkurtër.

Ai u ndal në faktin se sanksionimet nuk duhet të ndalen ndaj Rusisë. Madje, duhet të ashpërsohen edhe më tej.

“Për Rusinë është një goditje e madhe në ekonomi. Rubla po zhvlerësohet dhe fuqia ruse po ashtu. Ne jemi të bashkuar. Boll më me vrasjen e njerëzve të pafajshëm”.

Mbi premisën e kësaj fjalie të fundit, Borrell caktoi se Putini po kryente sulme mbi kopshte, spitale, shtëpi, pallate, objekte të ndryshme civilësh të pafajshëm, duke sjellë të vrarë.

Po ashtu, ai e ritheksoi se 1 milion ukrainas kanë lënë vendin dhe se këta refugjatë duhen ndihmuar, ashtu si vendet e Bashkimit Evropian, të cilat do i presin ata.

Një mision humanitar i BE-së po ashtu do të nisë së shpejti, për të dokumentuar të gjitha krimet e kryera në Ukrainë nga ana e Rusisë.

Ndërsa, luftën ia adresoi vetëm Putinit.

“Kjo është lufta e tij dhe ai duhet ta ndalojë atë sa më parë”, përmbylli Borrell.