President e di mirë se çdo të thotë cenim i sigurisë kombëtare dhe ai duhet ta kishte parandaluar bllokimin e fluturimeve në Rinas. Ky është qëndrimi i një prej personave më ekspertë të fushës, ish-komandanti i Bazës Ajrore të Kuçovës, Flamur Hoxha. Në intervistën e dhënë për Report Tv Hoxha tha se Meta duhet të kishte ndërhyrë.

‘Është thyer  siguria kombëtare. Presidenti i Republikës këtë duhet të kishte  parë fillimisht. Ai mban përgjegjësinë të parën për sigurinë kombëtare. Presidenti i republikës ka përgjegjësinë kryesore që të mos lejonte të ndodhte kjo gjë. Ai duhet të kishte ndërhyrë. Që në pritjen e parë që ka zhvilluar me ta duhet t’i kishte sheshuar. Duhet t’ia kishte bërë të qartë se thyhen rregullat e sigurisë kombëtare. Grevë mund të bëjnë punonjësit e tjerë të aeroportit por jo këta pasi janë hallkë e rëndësishme. Nuk besoj se Forcat Ajrore nuk kanë kapacitete që t’i zëvendësojnë. Ndaj këta e kanë të ndaluar me ligj që nuk mund të bëhet grevë nga këta”, thotë ish-ushtaraku.

Edhe pse i njeh personalisht Flamur Hoxha thotë se duhen marrë masa për kontrollorët që kanë braktisur punën dhe kanë krijuar një situatë të paprecedentë.

“Unë mendoj se pjesa kryesore e tyre duhet t’i rikthehen punës pa arritur që ne t’i zëvendësojmë në total nga kontrollorët e trafikut ajror nga vende të tjera.  Personalisht nuk më kishte shkuar në mendje që mund të ndodhte kjo. Unë i njoh personalisht por mendoj që nëse vazhdon kjo situata ata duhet të zëvendësohen.  Nëse krahasojmë punën e vështirë që këta bëjnë këta me punën e pilotëve, unë kam qenë vetë pilot, ne e kemi pasur shumë herë më të vështirë dhe të rrezikshme. Ndërkohë që këta kanë një pagë shumë të madhe”, thotë ai.

Ish-ushtaraku thotë se kjo që ndodhi është një gjë shumë e keqe sidomos kur presim një nga stërvitjet më të mëdha të zhvilluar ndonjëherë të NATO-s.

“Unë besoj që kjo situatë nuk do ta pengojë dhe stërvitja do të zhvillohet por dëmi është shumë i madh, qoftë edhe ekonomik. Krijohet një situata sikur jemi në vitin 1997. Ne jemi në zgjedhje, jo në luftë.  Unë e gjykoj si ushtarak. Për mua quhet braktisje e pozicionit luftarak. Ata nuk bëjnë detyrën e njeriu të zakonshëm. Është harxhuar shumë për t’i përgatitur ata. Për mua nga ana e tyre është një karrierë e hedhur në erë”, tha ndër të tjera në intervistën e dhënë për Report Tv, ish-komandanti i Bazës Ajrore të Kuçovës, Flamur Hoxha.

VERITAS.COM.AL