Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se nga 4 maji forcat amerikane do t’i shoqërojnë anijet neutrale të bllokuara pranë Ngushticës së Hormuzit, për t’i nxjerrë në mënyrë të sigurt nga zona.
Ai tha se kjo është një masë “humanitare”, ndërsa shtoi se SHBA-ja po zhvillon “bisedime pozitive” me Iranin për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.
Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump paralajmëroi se SHBA-ja do të reagojë, nëse Irani përpiqet ta pengojë këtë mision – gjë që mund të rrezikojë edhe armëpushimin aktual.
“Nëse, në çfarëdo mënyre, ky proces humanitar pengohet, atëherë ajo ndërhyrje, fatkeqësisht, do të duhet të trajtohet me forcë”, tha Trump.
Një zyrtar i lartë iranian paralajmëroi se Teherani do ta konsiderojë çdo përpjekje të SHBA-së për të vepruar në ngushticë si shkelje të armëpushimit.
“Çdo ndërhyrje amerikane në regjimin e ri detar të Ngushticës së Hormuzit do të konsiderohet shkelje e armëpushimit”, shkroi në X Ebrahim Azizi, udhëheqës i Komisionit për Siguri Kombëtare të Parlamentit iranian.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se misioni “do të përfshijë shkatërrues me raketa, mbi 100 avionë tokësorë dhe detarë, platforma pa pilot në shumë fusha operimi dhe 15.000 ushtarë”.
Njoftimi nuk sqaroi se si do të përdoren këto mjete.
Një gazetar nga Axios, duke cituar dy zyrtarë amerikanë, tha se anijet e Marinës amerikane nuk do t’i shoqërojnë drejtpërdrejt anijet tregtare, por do të qëndrojnë “në afërsi” për të ndërhyrë, nëse është e nevojshme për të penguar sulmet.
Presidenti amerikan tha se kjo masë po merret me kërkesë të vendeve, anijet e të cilave kanë mbetur të bllokuara në këtë kanal ujor, pasi Irani ka kufizuar pjesën më të madhe të trafikut, në përgjigje të sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, që nisën më 28 shkurt.
SHBA-ja është duke zbatuar edhe një bllokadë për të penguar hyrjen dhe daljen e anijeve nga portet iraniane.
“Vende nga e gjithë bota, pothuajse të gjitha që nuk janë të përfshira në konfliktin në Lindjen e Mesme, na kanë kërkuar ndihmë për të liruar anijet e tyre që janë bllokuar në Ngushticën e Hormuzit”, tha Trump.
Ai shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve të tij t’ua bëjnë të ditur këtyre vendeve se “ne do të bëjmë përpjekje maksimale për t’i nxjerrë në mënyrë të sigurt anijet dhe ekuipazhet e tyre nga Ngushtica e bllokuar e Hormuzit”.
“Lëvizja e anijeve ka për qëllim vetëm t’i ndihmojë njerëzit, kompanitë dhe vendet që nuk kanë bërë absolutisht asgjë të gabuar – ata janë viktima të rrethanave”, tha Trump.
“Shumë nga këto anije po mbeten pa ushqime dhe pa gjërat e tjera të nevojshme, në mënyrë që ekuipazhet e mëdha të qëndrojnë në kushte të shëndetshme dhe higjienike”, shtoi ai.
Bisedimet e paqes mes SHBA-së dhe Iranit – të ndërmjetësuara nga Pakistani, kanë ngecur pas rundit të parë të zhvilluar në Islamabad më 11-12 prill.
Më 3 maj, zyrtarët iranianë thanë se janë duke shqyrtuar përgjigjen e Trumpit ndaj propozimit më të fundit për paqe me 14 pika, të cilin Teherani ia dorëzoi SHBA-së përmes Pakistanit.
Trump, më 2 maj, tha se po përgatitej ta shqyrtonte këtë propozim, por shtoi se nuk mund ta imagjinonte që ai do të ishte i pranueshëm.
Komente