Viktima që mbeti i vrarë me armë zjarri sot në mbrëmje  në Tiranë është biznesmeni Memli Begalla, 64 vjeç, me disa aktivitete biznesi.

Rreth orës 21:00, në Sallën Operative të Policisë një telefonatë dha alarmin se në rrugën “Nikolla Tupe” në sheshin mes pallateve, një burrë ndodhet i shtrirë në tokë. Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe ambulanca ku nga veprimet paraprake ka rezultuar se 64-vjeçari u ekzekutua me armë zjarri.

Policia ka shoqëruar disa persona qe mund të kenë dijeni për rrethanat e hetimit.

“Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe janë ngritur pika kontrolli ne disa akse rrugore”, si dhe “po punohet për sigurimin e provave te vlefshme për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe zbardhjen e autorësisë se saj”, njoftoi zyrtarisht Policia.

Burime thanë se personat e pyetur lidhur me ngjarjen kanë thënë se nuk kanë dëgjuar krisma. Kjo krijon dyshime se Begalla mund të jetë vrarë me armë zjarri me silenciator, ose vrasja mund jetë kryer me puthitje.

Po shqyrtohen kamerat e sigurisë në hyrje dhe dalje të pallatit, ndërsa dyshohet se ka kamera në brendësi të parkimit, ku u gjet i pajetë 64-vjeçari.

Raportime nga policia bëjnë të ditur se viktima ishte pronar i dy gomisterive, ndërkohë që me emrin e mëparshëm Afrim Begalla ka pasur disa biznese të tjera në fushën e turizmit, energjisë, ndërtimit.

Nga të dhënat e para, mësohet se autorët kanë lëvizur me një automjet të zi me xhama të errët, ndërsa kanë përdorur një armë tip pistoletë me silenciator.

Viktima ka pasur një të shkuar në Zvicër dhe Itali, të cilat po verifikohen nga policia dhe që mund të çojnë në shkaqet e krimit.

Po hetohet edhe periudha që 64-vjeçari ka jetuar në Shqipëri, ku rezulton se ka pasur disa biznese.

Burimet pohojnë se fillimisht janë shoqëruar 5 persona, mes të cilëve edhe dy djemtë e viktimës, ndërkohë që janë të paktën 15 persona që do të pyeten në lidhje me ngjarjen. Ata do të merren në pyetje me cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për problemet e viktimës, apo për problemet që ata vetë mund të kenë pasur me 64-vjeçarin.

Në vendngjarje ka shkuar edhe Drejtori i ri i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu.

Veritas.com.al/