Kolegji Zgjedhor vulosi 140 mandatet e Parlamentit të ri duke i dhënë fund odisesë së ankimimeve të opozitës, e cila mbante peng shpalljen e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve parlamentare.
Vendimi i Gjykatës Zgjedhore është i paankimueshëm duke i hapur rrugë certifikimit të zgjedhjeve nga Komisioni Rregullator javën e fundit të qershorit, kohë kur deputetët pritet të marrin mandatet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Opozita përdori cdo instrument në betejën e saj ligjore për të faktuar blerjen e votave nga hapja e kutive të Beratit dhe Durrësit ku nuk pati surpriza e deri tek tentativa për të bllokuar procesin përmes kërkesës së ndryshimit të albitrit final, skenar i cili nuk gjeti zbatim.
Beteja ligjore e PD-LSI nisi në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve ku u ankimuan 9 qarqe dhe u mbyll ne Kolegj Zgjedhor me vendimin për Fierin dhe Elbasanin. Edhe pse u rrëzua si në KAS edhe në Gjykatën Zgjedhore opozita refuzon të njohë rezultatin dhe po eksploron rrugë të reja për t’iu drejtuar Kushtetueses dhe Gjykatës së Strasburgut për të faktuar akuzat e saj.
VERITAS.COM.AL