Çështja e Gjykatës Kushtetuese do të shkojë në Komisionin e Venecias. Lajmin e bëri të ditur kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i cili u shpreh besimplotë se Venecia do të japë opinione objektive lidhur me këtë çështje.

“Sikurse është vepruar nga ana e Komisionit Hetimor Parlamentar në rastin e aktit antikushtetues të Presidentit për ç’dekretimin e datës së zgjedhjeve të 30 Qershorit, që Kryetari i Kuvendit në emër të Kuvendit të Shqipërisë t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Një institucion i gjithëpranuar, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në Europë e më gjerë, për cilësinë e opinioneve të veta. Kujtojmë këtu që opinioni i Komisionit të Venecias për çështjen e ç’dekretimit të zgjedhjeve ka qenë i plotë, ka qenë i qartë dhe në këtë këndvështrim, është e domosdoshme që edhe në këtë rast Komisioni Hetimor t’i drejtohet kryetarit të Kuvendit, që sapo të jetë miratuar nga Kuvendi zgjerimi i objektit të hetimit dhe të marrë kohën e nevojshme komisioni, duke zgjatur edhe afatin e punës së Komisionit, t’i drejtohemi menjëherë Komisionit të Venecias me qëllim që ky institucion i gjithëpranuar për opinionet objektive, të japë vlerësimin e vet”.

“Dhe i bashkohem në fakt vlerësimit të partnerëve tanë strategjikë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe Bashkimit Europian, sepse edhe zëdhënësja e Komisionerit për Politikën e Jashtme, Maja Koçijançiç ka qenë në të njëjtën gjatësi vale”.

Më herët, në një deklaratë për mediat, ambasada amerikane në Tiranë tha se SHBA mbështet dërgimin e kësaj çështje në Komisionin e Venecias në mungesë të një institucioni që do të mund të vendoste mbi interpretimet e palëve.

Veritas.com.al/