Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj sot është kërcënuar publikisht nga një prej protestuesve të banorëve të ‘5 Majit’. Për mediat, protestuesi i quajtur Elson Makurm, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare pasi ka qenë objekt i OFL-së, u ka bërë thirrje banoëve që kanë kallash të fshehur në shtëpi dhe acid dhe t’ia hedhin acidin në sye kryebashkiakut.
‘Këta janë hajduta dhe super kriminela. Nesër do të prishet e juaja. Çdokush e ka një kallash të fshehur dhe një benzinë, kur të dali Veliaj në Bllok nuk është vështirë ti dalim me kapuc dhe t’i hedhim acid në fytyrë. Çdo shqiptar e ka një kallash të fshehur diku dhe dy shishe benzinë. Nuk është zor kur të dali Erion Veliaj në Bllok me pi kafe, nuk është zor për t’i shkuar me një kapuç e me ja hedh një shishe acid në sy’ tha banori.
I gjendur përballë këtij kërcënimi, kryebashkiaku Erion Veliaj nuk e ka vonuar reagimin duke thënë se nuk trembet, e duke e paralajmëruar se ‘koha e të fortëve” ka mbaruar.
“Koha kur ne tërhiqemi me të fortin që vinte nga vitet ’90, me targa të huaja, me timonin në anën tjetër, apo me atë të piramidave të ’96, apo me rrugaçin e ’97, apo me atë që merrte tankun dhe shkonte drejt qeverisë në ’98, është kohë e kaluar. Jemi në vitin 2022, flasim për Kryeqytetin Evropian të Rinisë, ndërkohë dikush i skeduar nga policia ka folur sot me orë të tëra dhe asnjë nga mediat nuk pyeti: Ore kush është ky? Si mund të japim me orë të tëra në televizor një kriminel, të cilit policia ia ka konfiskuar pasurinë dhe është nën hetim, si “grabitqarë”, “peshkaqenë” fajdesh? Jepnin fajdet, pastaj shkonin i kërcënonin, i vrisnin dhe ky thotë që do bëjë vetëgjyqësi me kallash e acid?! Kush është më i forti në këtë qytet? Rrugaçi, zaptuesi, kërcënuesi, krimineli, trafikanti apo ai çuni e goca që del me dhjeta, që punon në mënyrë të ndershme?! Sa të jem unë kryetar bashkie, asnjë kompromis! I kam parë unë të gjitha, me media, edhe trafikantë droge, edhe këto portalet që vënë gjoba, duhet ecur përpara dhe duhet dhënë mesazhi që në vitin 2022, paligjshmëria, rrugaçëria, krimineli, trafikanti nuk cakton axhendën e qytetit. Axhendën e qytetit, sidomos këtë vit, do ta caktojnë të rinjtë tanë, çunat e gocat e shkëlqyer të Tiranës, që nuk i kanë borxh askujt”, tha Veliaj.
Vëllezërit Marku, Sokol dhe Elson kanë qenë subjekt i OFL-së, këtyre u janë sekuestruar 5 milionë euro pasuri, 11 makina luksoze, apartamente, lokale dhe biznese të tjera pasi dyshohet se pastronin paratë e drogës duke dhënë para me fajde.