Partia Demokratike, në opozitë, dje pas seancën Parlamentare ku u miratua ligji mbi Vetting-un u ndodh në pozitë dyfish të vështirë:

E para pse gjithë procesi i udhëhequr prej saj, në pikën e Vettingut dështoi. Mund të quhet dështim për arsye se që nga fillimi PD kishte punuar me ngulm të madh nën moton “të mos e lëmë Drejtësinë që ta kapë qeveria”. Me mbështetjen e Komisionit të Venecias dhe personaliteteve në adminstratën e Shteteve të Bashkuara, ia arriti të vërë “vulën” e saj në ligjin për ndryshimet kushtetuese. Por përderisa maxhoranca Parlamentare  e votoi ligjin e Vettingut në mënyrë të njëanshme dhe sipas shijeve të saj, kjo nënkupton se u dëmtua shumë përpjekja opozitare për ta mbajtur Drejtësinë jashtë duarve të qeverisë

Dështimi i dytë, se nuk u arrit konsensusi për ligjin e Vettingut, një nga ligjet kryesore përe Reformën. Shpresa se Ilir Meta, kryetar i Kuvendit, do ta vazhdonte me të njëjtin qëndrim për “reformen vetëm përmes konsensusit”, u shua në seancën e fundit, kur Partia e tij votoi sipas maxhorancës pavarësisht parullës për konsensus.

Pyetja që shtrohet është kjo: Cili do të jetë opsioni politik i Opozitës për kthimin e vlerës në Reformën e Drejtësisë?

E para, Partia Demokratike e ka quajtur antikushtetues miratimin e ligjit për Vettingun. Me këtë emërtesë “antikushtetues”, ligji merr të drejtën të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për “verifikim” nëse është antikushtetuese ose jo. Nëse “skaneri” i Gjykatës Kushtetuese thotë se ky ligj është antikushtetues, atëherë Kuvendi ka detyrim ligjor që ta kthejë për rishqyrtim.

Për demokratët e Lulzim Bashës, vettingu i miratuar vetëm me votat e maxhorancës në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi është antikushtetues. Tri ditë më parë PD dorëzoi në Kuvend një paketë të re amendamentesh nga deputeti Arben Ristani, ku saktësohen pikat më të rëndësishme, të cilat sipas demokratëve, janë antikushtetuese e që janë diskutuar pa praninë e opozitës në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi. Për PD, ligji i vettingut në formën aktuale dhe pa vërejtjet e opozitës shkel të paktën 7 parime të Kushtetutës dhe amendamentet e saj synojnë ta vendosin procesin e vettingut në “shinat kushtetuese”.

Veprimi i dytë, PD të kërkojë në kancelaritë e Perëndimit zbatimin e Demokracisë në Kuvend. Për ligje të vlerës së madhe siç është Reforma në Drejtësi kërkohet jo thjeshtë votim me numra, por konsensus politik. Ndryshe ligji nuk mund të qëndrojë më këmbë. Opozita ka funkionuar me idenë për të qenë e pranishme dhe e dobishme. Por maxhoranca e bëri nul.

Në tryezën e punës të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi janë 75 amendamente të demokratëve për 7 ligjet kryesore, asnjë prej të cilave nuk është marrë parasysh. “PD është e vendosur për largim të gjyqtareve të korruptuar. Sipas saj, procesi duhet të jetë ligjor dhe jo politik”, ka thënë Basha përpara deputetëve demokratë.

Sipas argumentimit të opozitës, janë shtatë pika që i hapin rrugë kontrollit të qeverisë mbi organet e reja të drejtësisë./ Verritas.com.al