Koment nga: VERITAS/

Kryeministri Rama, duke bërë rindërtimin e qeverisë së tij që mund të quhet edhe ‘e treta’, zbuloi edhe një ‘gropë’ të zezë njerëzore të atyre që bëhen ministra në qeveritë tona. Gropa është kjo: Njeriu sapo vjen në qeveri, që në atë moment nis e gërryen staturën e tij artificiale që ka paraqitur nëpër podiume. Në momentin që largohet ( madje edhe gjatë kohës që ndodhet në poltronin e ministrit), ky njeri përzihet me neveri nga njerëzit.

Edhe në këtë  rast, disa ministra që u larguan, lanë të njëjtën përshtypje: Njerëzit ishin gati të mblidheshin para ministrive të tyre dhe t’u jepnin nga një shkelm në prapanicë. Kryeministri i largoi ministrat ‘për hesap të vet’ , por tre a katër prej tyre u duk sikur u hoqën edhe për të mos u bërë më të neveritshëm para publikut.

Me ministren më të neveritshme të kabinetit Rama, zonjën Kumbaro, u mor që në mëngjes një artist i muzikës, tenori Agim Hushi. Ky shkroi menjëherë një mallkim drejtuar Kumbaros: “Shkofsh e mos u kthefsh më!”. Kaq neveri krijoji Kumbaro për artistët. Por neverinë zonja Kumbaro  e lëshonte si pluhur rrugës, ngado shkonte. Një përkthyese në kabinat e konferencave, që lutej për një punë kabinash me qëllim që t’ua fuste të tjerëve; një ministre ‘urë’ ndaj kryeministrit dhe përbindësh për vartësit; injorante e artit, ministre që mblidhte një tufë gra në ministri dhe bënte thashetheme…, ja kjo.  Njerëzve ua shpifi me zgurdullimin e syve, që askush nuk e luan aq keq atë rol, përveç një kolege e saj deputete në PD, Grida Dume. Këto lloj politikanesh me sa duket kanë menduar se e mbajnë karrigen duke zgurdulluar sytë, duke suvatuar lëkurën e buzët dhe duke hekurosur flokët… Jo, ore nuk bëhet kështu… Sepse nesër të heqin me neveri.

As ministre e Arsimit, Lindita Nikolla nuk mundi të rezistojë, edhe pse ishte quajtur ‘Miss Parukeria’. Nuk kishte një sekondë dita që të mos shihej me flokë si në varre faraonësh. Dikur kishte qenë një vajzë e mirë, në punë të vet, me ca nota njerëzore te pesa…, por nuk njohu veten. I vuri kazmën universiteteve. E shkatërroi fondin e shtetit për universitetet, duke hyrë në ujdi me dekanë e rektorë- të gjithë kriminelë të fondeve… Ditën e fundit, Lindita iku me një shkelm nënërie.

Më të neveritshëm burrë se Damian Gjiknuri nuk kishte. I fryrë kot së koti, thuthuq, me para pa fund aq sa tregojnë se në shtëpinë e të ëmës kishte strehuar miliona që deklaroi se ia vodhën natën, shkatërrimtar i imazhit shtetëror… Po që nisi të ndërtojë Damianin mistik duke i puthur këmbën Guruve…

Ditmir Bushati kishte pasur aq shumë injorancë në kurmin e vet, saqë i tha mendja se do të dublonte kryeministrin e tij në raport me Amerikën. Nisi të flasë Bushati në emër të qeverisë mbi marrëdhëniet me Amerikën. Ky ishte sebepi që e shtyu kryeministrin ta ‘qëronte’. Por në fakt aq i neveritshëm për publikun, arrogant, tinzar, bir i një nga persekutohet e regjimit të diktaturës… O zot sa të neveritshëm

Po pse nuk mbijetojnë këta njerëz as në këtë epokë ku dominon Neveria?

Po sepse nuk mund të shkelen për një kohë të gjatë vlerat që ka krijuar njerëzimi nëpër mijëra shekuj…

Veritas.com.al/