Frrok Çupi/

E dini pse u sajua në Korçë mbledhja e dy qeverive Kosovë dhe Shqipëri? Se nuk kishin çfarë bënin…

Çfarë të bënte qeveria e Kosovës, të qëndronte në Kosovë?… Edhe mundej, por kur u gjet arratia për në Korçë, o zot çfarë shpëtimi !? Në Prishtinë nuk ka çfarë kap me dorë. Burgosjen e tre deputetëve të VV të kapë? Po ta kapësh burgosjen e kundërshtarëve dhe te jesh qeveri, zhytesh më shumë në turp. Kryeministri iu lut deputetëve: “Aman, burgosuni, se nuk kam ç’ bëj!”. Ata u burgosën dhe ky prapë nuk ka çfarë bën… U nis për në Korçë. Tjetër punë nuk ka.

Të qëndrosh në Tiranë?… Kryeministri këto ditë, që nga Tirana, nuk bën dot lajm. Në Korçë bëri dy lajme në një ditë: Lajmi i parë me përplasjen e makinave të eskortës në Pogradec; lajmi i dytë me një dalje nën çadër bulevardit të Korçës, mes dy të shkurtërve deri në bel. Kjo ishte punë, në fakt, se i thonë dy lajme. Tjetër nuk ka çfarë bën qeveria…

Çfarë të bëjnë kur nuk kanë ç’të bëjnë?! Të numërojmë kotësitë e qeverisë? E pamundur. Ose është e mundur, por nuk thua gjë. Njerëzit nuk mund të rrinë me net të tëra që të lexojnë numërimin e kotësive të qeverisë? E pastaj të bien edhe njerëzia në kotësi?! Njerëzit?!…. Të paktën dikush po përpiqet të ndezë një sobë gazi për këtë natë të ftohtë, dikush ka shkuar të harxhojë edhe dy lekët e mbetur në kazino; dikush po pret fëmijët t’i mblidhen në shtëpi se nuk di ku i ka; dikush po mashtron dikë në kafen poshtë te shkallët e pallatit. Të paktën këta kanë me çfarë merren. Qeveria, ngaqë nuk donte të tregonte dobësitë e veta, u nis për në Korçë. Dobësia e parë është vaniteti, por këta thonë se po bëjnë mbledhje me qeverinë e Kosovës, po bëjnë “patriotizëm”. Sa turp!

Qeveria e Tiranës nuk ka çfarë bën kur është vetëm, sa gjysma e të dy qeverive; e çfarë mund të bëjë kur bëhet dyfish? Dy herë më shumë kotësi, dy herë më shumë s’ka çfarë bën. Kështu edhe qeveria e Kosovës… Sa herë mbeten pas asnjë punë, atëherë mblidhen bashkë diku… Sot kanë nënshkruar 12 marrëveshje! Për çfarë? Për atë që ishte… “Në kufi të kalojmë me ID”, “në makinë të kontrollohet patenta”, “në det të hyhet me anije ose varkë”, “në Korçë të mblidhemi prapë”, e të tilla si këto. Një marrëveshje serioze mes dy qeverive serioze do të donte 12 vjet punë. Këta për një orë nënshkruajnë 12 marrëveshje…(Mu kujtua shifra 12 nga periudha e diktaturës: Në një vit, qeveria komuniste prodhonte 12 filma artistik, dyfishin e Hollivudit).

Sa mirë që janë marrëveshjet, se ndryshe nuk do të kishin çfarë bënin.

Politikanët jetojnë ndryshe nga peshqit, jetojnë në zbrazëti. Këtu ka zbrazëti idesh dhe lëvizjesh, zbrazëti veprimi dhe aktesh të shërbesës ndaj popullit, ka bollëk paditurie, bollëk neverie për njeriun… Njerëzit ‘e vegjël’ bëjnë gabimin  madh që i mendojnë ndryshe politikanët që nuk kanë çfarë bëjnë…

Veritas.com.al/