Dekreti i presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 13 tetor mbetet plotësisht i pazbatueshëm.

Dekreti i presidentit Ilir Meta tashmë është i rrëzuar edhe ligjërisht, pasi në bazë të Kodit Zgjedhor janë tejkaluar të gjitha afatet e mundshme që partitë të jenë pjesë e kësaj gare tashmë “imagjinare”.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, duke i qëndruar afateve ligjore, partive politike i ka mbaruar edhe afati për regjistrimin e koalicioneve politike.

“Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumë emërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë”, thuhet në nenin 64 të Kodit Zgjedhor.

Mbi bazën e këtij neni, partitë politike duhet të kishin paraqitur brenda datës 15 gusht kërkesën për pjesëmarrjen e zgjedhjeve të 13 tetorit, sipas koalicioneve zgjedhore.

Gjithashtu ka rënë edhe afati kohor i paraqitjes së kandidatëve për kryetar bashkie. Sipas Kodit zgjedhor, lista e kandidatëve nga partitë politike, por edhe nga koalicionit duhet të kishin paraqitur kandidatët për kryetar bashkie dhe listën shumë emërore. Në nenin 67 të ligjit duhej që një veprim i tillë të ishte ndërmarrë 50 ditë përpara datës 13 tetor.

Fillimisht për 13 tetorin, ra afati edhe i regjistrimit të partive politike. Më 5 gusht duhet të kishin paraqitur kërkesën për regjistrimin si subjekte politike pranë KQZ-së. Thirrjes së presidentit Meta që zgjedhjet të mbaheshin më 13 tetor iu përgjigjën vetëm tre parti politike të opozitës. Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe Partia Agrare Ambientaliste i paraqitën zyrtarisht kërkesën pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zbatuar dekretin e firmosur nga presidenti Ilir Meta për të mbajtur zgjedhjet më 13 tetor.

Por tani asnjë nga këto firma nuk kanë më vlerë, as vetë Dekreti.

Veritas.com.al/