Gjithçka është e paqartë se çfarë do të ndodhë me negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, teksa pse ka një amulli deklaratash, edhe pse Bullgaria dha dje një sinjal pozitiv. Në këtë situatë, mesazhi që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e qartë. Për Uashingtonin, afrimi i rajonit me bllokun europian është e një rëndësie kyçe, dhe kjo, në kancelaritë europiane, nuk duhet harruar.
“Konsiderojmë se kredibiliteti i perspektivës së zgjerimit të BE-së është me rëndësi jetike për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, deklaruan burime nga Departamenti Amerikan i Shtetit për agjencinë maqedonase të lajmeve, Mia.
DASH thekson më tej se SHBA vijon të ofrojë mbështetje për çeljen e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejtë të jetë e mundur. Kujtojmë se dje Parlamenti bullgar i dha mandat Këshillit të Ministrave për të miratuar propozimin e Presidencës Franceze për heqjen e vetos për negociatat për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Parlamenti bullgar e hoqi veton me kushtin që sipas propozimit francez, Komisioni Evropian do të shërbejë si arbitër sepse tani procesi i anëtarësimit i RMV është i lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë.