Nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, po mbahen ceremonitë e homazheve dhe më vonë edhe mbledhja e komemoracionit me rastin e vdekjes së Fadil Vokrrit, kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, raporton radio “Europa e Lirë”.
Fadil Vokrri, 57-vjeçar, ndërroi jetë të shtunën në mëngjes, pas një sulmi në zemër.
Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se Vokrri do të varroset në varrezat në Prishtinë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur të dielën ditë zie, në nderim të të ndjerit Fadil Vokrrit, dhe flamujt në të gjitha institucionet e Kosovës janë ulur në gjysmë shtizë.
“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, me vendim të presidentit Thaçi, të dielën flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.
Fadil Vokrri, ishte figura qendrore e futbollit të Kosovës dhe ndërkombëtarizimit të tij. Sipas njoftimeve nga Qeveria e Kosovës para ceremonisë së varrimit, nga ora 12:00 e deri në orën 13:00 në Kuvendin e Kosovës mbahen homazhe, kurse në orën 14:00, po në Kuvend do të mbajë një mbledhje komemoracioni.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas lajmit për vdekjen e Vokrrit, ka thënë Vokrri ishte ylli më i ndritur i sportit dhe jo vetëm sportit tonë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se Vokrri ka qenë frymëzim për shumë breza të sportistëve.
Veritas.com.al/