Ish presidenti i Republikës Ilir Meta, njoftoi dje se ka nisur procedurat e divorcit nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, pas 26 vitesh martesë e akoma më shumë vite të një bashkëjetese politike.

Kryemadhi i tha Zërit të Amerikës se nuk preferonte për momentin të komentonte vendimin e bashkëshortit të saj dhe se më parë donte të mësonte arsyet që e kishin çuar Metën në kërkesën për divorc, të depozituar të enjten në Gjykatën e Tiranës.

Në mbrëmje, ish presidenti Meta, tha se Kryemadhi “është tanimë ish bashkëshortja”, dhe se vendimin ai ia kishte komunikuar djalit të tyre Besar Meta, 24 vjeçar, i cili sipas tij, disa herë i kishte kërkuar që të dy prindërit të gjenin “një zgjidhje të qetë, përsa kohë keni shumë tensione dhe probleme. Mendoj se kam gjetur një zgjidhje shumë të qetë”, u shpreh Meta.