Prej disa kohësh, në fjalorin e politikanëve ka hyrë rëndom ‘Dosja 339”, edhe pse militantët e partive dhe politikanëve nuk kanë haber çfarë është kjo dosje me këtë numër enigmatik.

Me këtë numër është pagëzuar një dosje në Prokurorinë e Krimeve të rënda që iu përket disa të dyshuarve për krime në Durrës dhe që kanë mbiemrin ‘Abdylaj’. Me këtë numër dosjeje sot PD ka akuzuar prokuroren e krimeve të rënda, Donika Prela.

Deputeti i PD Enkelejd Alibeaj, tha sot për mediat se në dosjen e saj ka dokumente që provojnë se miliona lekë nga pasuria e saj janë të pajustifikuar, se bashkëshorti i saj dyshohet për pastrim parash dhe se, në rastin më të mirë, ai ka punuar në të zezë. Ndër të tjera Alibeaj kërkoi nga KPK të verifikojë nga kamerat e sigurisë për t’i dhënë përgjigje disa pyetjeve të ngritura prej tij.

“Përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, KPK duhet të verifikojë nga kamerat e sigurisë a është takuar Donika Prela në nëntor-dhjetor me anëtaren e vetingut Valbona Sanxhaktari dhe a është pjesë e dosjes 339, duke u kapur në përgjim me Astrit Avdylajn.” -u shpreh Alibeaj.

Pas akuzave të ngritura sot nga Partia Demokratike mbi drejtuesen e Prokurorisë së krimeve të Rënda, e cila sipas demokratëve rezulton në përgjimet me grupin e Avdyljave, kanë reaguar edhe prokurorët e dosjes së shumëpërfolur 339. Në njoftimin shpërndarë mediave, i cili mban firmën e prokurorëve Vladimir Mara dhe Dritan Prençi hidhen poshtë pretendimet e PD.

Pritet që pasdite të merret në ‘dorë’ përsëri ‘dosja 339’ për të sulmuar palët njëra tjetrën

Veritas.com.al/