Policia arrestoi pronarin e portalit “Shkodra.news” Robert Staka nën akuzën e fyerjes, shpifjes dhe ndërhyrjes së padrejtë në jetën e të tjerëve. Sipas policisë, 37 vjeçari Robert Staka menaxhonte llogaritë që kishte në Facebook dhe në WEB, të cilat i keqpërdorte për të fyer dhe për të shpifur për shtetas të ndryshëm, disa prej tyre me funksione publike.

Robert Staka akuzohet edhe për një numër veprash të tjera penale si kanosje, dhunë në familje, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive si dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

Arrestimi i tij u krye nga policia e Shkodrës pas kanosjes dhe dhunës së ushtruar ndaj babait të tij, i cili me datën 7 tetor ishte i pajisur me urdhër të menjëhershëm mbrojtje nga gjykata. I kontaktuar nga mediat vendore babai i tij pretendon se eshte goditur nga i biri per shkak te mosmarrëveshjeve per problemet e pronesise se shtepise ku banojne. Ne portalin.e tij “Shkodra.news” Robert Staka kishte publikuar njoftimin per shitjen e shtepise, sipas tij per ta shnderruar ne nje qender te portalit dhe ” per te bere drejtesi”.
Policia e Shkodres, gjatë kontrollit në banesën e tij, sekuestroi një armë imituese e armës së zjarrit, 2 kompjutera, 2 celularë dhe pajisje të tjera elektronike.

Robert Staka ka punuar për një kohë të gjatë si montazhier në një nga televizionet e qytetit të Shkodrës, ndërsa muajt e fundit ai ishte shumë aktiv në portalin e tij “Shkodra.news”, përmes të cilit ai shprehej se kërkonte të vinte drejtësi.

Ky është rasti i parë i arrestimit të drejtuesit të një prej portaleve të shumta në Shqipëri. Të dhënat jo zyrtare flasin për një numër prej më shumë se 900 portalesh, ku më shumë se 400 prej tyre drejtohen nga gazetarë apo punonjës në media.