Partia e kryeministrit të Malit të Zi, “URA”, ka bërë të ditur se në Parlamentin e Malit të Zi nuk ka shumicë për ta rrëzuar Qeverinë, pas paralajmërimit se partia e udhëhequr nga Millo Gjukanoviç, ka nisur iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë malazeze, pasi që gjatë ditës së mërkurë është nënshkruar marrëveshja bazë ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

“Ne besojmë se Parlamenti i Malit të Zi dhe partitë në të do të dinë të përcaktohen në mënyrën e duhur sipas një politike shtetërore të përgjegjshme dhe racionale kundër intolerancës, tensioneve të pabaza, problemeve dhe ekstremizmit”, njofton partia.

Çfarë ndodhi?

Marrëveshja bazë ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe është nënshkruar në ora 10:00 në Podgoricë këtë të mërkurën e 3 gushtit, ka raportuar mediumi malazez, Vijesti.

E për kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, me marrëveshjen në fjalë po tentohet të dërgohet një mesazh paqeje dhe tolerance.

“Po hapim një fletë të re dhe po përballemi me sfida të reja”, ka deklaruar Abazoviç menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar dhe i kënaqur që përfunduam procesin që, për fat të keq, zgjati shumë në Mal të Zi. Ideja e nënshkrimit të kontratës është një ide e vjetër, më vjen keq që nuk u realizua në Periudha e kaluar”.

Sipas Abazoviç, Qeveria të cilën e udhëheq ai është e vendosur që të gjitha bashkësive fetare t’u japë saktësisht të drejta identike.

“Jemi të lumtur dhe të kënaqur nëse kemi kontribuar për këtë sot. Besoj se kjo mënyrë dërgon një mesazh paqeje dhe tolerance, që të kthejmë një fletë të re dhe që t’u drejtohemi sfidave të reja, të cilat nuk mungojnë në shoqërinë dhe mjedisin tonë, por të gjitha me dëshirën për të ndërtuar një shoqëri barazie, drejtësie dhe për t’i dhënë të drejtën që kërkojmë vetes edhe të tjerëve”, ka shtuar Abazoviç.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë e menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Social Demokrate e Malit të Zi, e cila ka njoftuar se do të nisë sot iniciativën për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë malazeze, e udhëhequr nga Dritan Abazoviç.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, partia e presidentit malazez Millo Gjukanoviç, ka thënë se iniciativa është e hapur për të gjithë ata që mendojnë se Qeveria e Malit të Zi është treguar e papërgjegjshme ndaj interesave nacionale.

“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë së re”, thuhet në postim, raporton Vijesti.