Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani tha këtë të enjte se përgjatë vitit 2022-2023 SPAK ka regjistruar një numër relativisht të lartë procedimesh penale. Në një seancë dëgjimore në Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Dumani bëri të ditur se regjistruar 201 procedime për korrupsionin, 85 procedime për krimin e organizuar dhe 13 procedime penale për terrorizmin.

“Përgjatë periudhës kohore, 2022-2023 SPAK ka regjistruar një numër relativisht të lartë të procedimeve penale të reja me një tendencë rritje. Kështu janë regjistruar 201 procedime penale për korrupsionin, 85 procedime për krimin e organizuar dhe 13 procedime penale për terrorizmin. Për vitin 2023 në total dallohet një rritje e regjistrimit të procedimeve penale të reja, në masën 16 përqind në krahasim me vitin paraardhës. Ka një përmirësim të dukshëm edhe në qasjen proaktive të hetimeve të ndërmarra nga SPAK të cilat janë përdorur të gjitha teknikat e posaçme të hetimit”.

Sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Dumani tha se përgjatë vitit që lamë pas janë regjistruar 8 procedime penale, me 18 zyrtarë e ish-zyrtarë nën hetim. Ndërsa sa i takon krimit të organizuar, strategjia që SPAK po ndjek është ajo e një hetimi shterues që synon shkatërrimin përfundimtar të grupeve kriminale.

“Qasja proaktive ka dhënë rezultate pozitive edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kështu në vitin 2023 janë regjistruar gjithsej 299 procedime të reja, nga të cilat 201 procedime për korrupsion, me 219 persona dhe 85 procedime janë regjistruar për krimin e organizuar, me 160 persona dhe 13 procedime për veprat penale me qëllime terroriste. Ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, për herë të parë në vitin 2023, janë regjistruar 8 procedime penale me 18 persona në hetim, nga ish-ministër te ish-kryeministër, kryetar bashkie etj. Për çështjet e regjistruara për veprat penale të krimit të organizuar evidentohet një rritje në masën 8 përqind dhe 10 përqind për çështjet e dërguar në gjykatë, krahasuar me vitin 2022. Ka gjithashtu një rritje prej 20 % për veprën penale në kuadër të korrupsionit dhe veprat penale krahasuar me vitin paraardhës. Nënvizojmë se në lidhjen me hetimin e krimit të organizuar, SPAK tashmë ka ndjekur një strategji që orientohet drejt hetimit shterues dhe të targetuar të grupeve kriminale duke synuar shkatërrimin përfundimtar të tyre”.

Shqetësues për kreun e SPAK është fakti që ka një rënie të ndjeshme të bashkëpunimit të institucioneve publike sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dumani bëri edhe një pasqyrim të pasurive të sekuestruara e konfiskuara. Sipas tij vlera e tyre përllogaritet të shkojë në 41 milion euro.

“Vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara së bashku për vitin 2023 përllogaritet prej 41 milion euro. Nga të cilat 54 përqind e zënë pasuritë e konfiskuara, në vlerën e 22.5 milionë euro. Dhe 46 përqind e zënë pasuritë e sekuestruara, në vlerën e 19 milion euro”.

Dumani po ashtu tha se SPAK ka vendosur kontakte të drejtpërdrejta me vendet e Amerikës Latine, me qëllim forcimin e bashkëpunimit kundër krimit të organizuar.

“Përfaqësues të DEA dhe FBI janë atashuar pranë zyrave të SPAK për të koordinuar dhe asistuar më mirë bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese. Prokuroria e Posaçme gjithashtu ka vendosur kontakte të drejtpërdrejta edhe me shtetet e Amerikës Latine, që do të rrisin ndjeshëm forcimin e bashkëpunimit në kuadër të veprave penale të krimit të organizuar”.