Parlamenti Europian hoqi të enjten e 2 shkurtit, imunitetin e dy eurodeputetëve të shënjestruar nga drejtësia belge në skandalin e dyshuar të korrupsionit për të mirën e Katarit dhe Marokut, duke i hapur rrugën dëgjimit të tyre nga hetuesit.

Duke votuar me ngritjen e duarve, eurodeputetët e mbledhur në Bruksel i dhanë dritën jeshile heqjes së imunitetit të belgut Marc Tarabella dhe italianit Andrea Cozzolino.

Dy zyrtarët e zgjedhur, të përjashtuar përkohësisht nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) dhe duke mohuar çdo keqbërje, votuan për heqjen e imunitetit të tyre.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze AFP.

Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, nisi më 2 janar procedurën urgjente për heqjen e imunitetit të dy deputetëve në bazë të kërkesës së autoriteteve gjyqësore belge për rastin “Qatargate”.

Gjithashtu, Metsola planifikon të prezantojë vizionin e saj për reformën në Parlamentin Evropian për të parandaluar shfaqjen e skandaleve korruptive si “Qatargate”.

“Që nga fillimi, Parlamenti Evropian ka bërë gjithçka që është në fuqinë e tij për të ndihmuar në hetim dhe ne do të vazhdojmë të sigurojmë që të mos ketë pandëshkueshmëri. Fajtori do të shohë që ky Parlament është në anën e ligjit”, u shpreh ajo.