Dy fëmijët e Liridona Ademajt kanë udhëtuar të shtunën drejt Suedisë.
Mediat në Kosovë konfirmojnë se shteti suedez tashmë i ka marrë ata në përkujdesje.
Sipas informacioneve të para, pritet që ata të merren në përkujdesje nga shteti suedez, pasi kanë mbetur pa përkujdesje prindërore.
Më shumë se një javë nga krimi që tronditi Kosovë, vrasja e Liridona Ademajt, e cila dyshohet se u privua nga jeta në mënyrë makabre, vazhdon të mbetet kryetemë e mediave vendore dhe atyre përtej kufirit.
Bashkëshorti i saj, Naim Murseli, bashkë me familjarin e tij, Kushtrim Kokalla dhe vrasësin me pagesë që dyshohet se është Granit Plava, janë arrestuar disa orë pas krimit, pasi dyshohen se kanë organizuar vrasjen e Liridonës. E, sot në pranga ra edhe Tomë Dodaj nga Gjakovë.
Që nga e mërkura e 29 nëntorit, dy fëmijët e çiftit, të cilët ishin dëshmitarë të ngjarjes së tmerrshme në natën kritike, kanë mbetur nën përkujdesjen e familjarëve, përkatësisht prindërve të Naim Murselit.
Me vendim të Gjykatës, Naim Murseli është dërguar në paraburgim për një muaj.
Ai dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’.
Ndërsa, trupi i të ndjerës, Liridona Ademaj, të hënën u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan, për t’u përcjellë në banesën e fundit në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.
Sipas raportimeve në disa media, Naim Murseli para një kohe i kishte paguar sigurimin jetësor Liridona Ademajt në një kompani suedeze. E për këtë pretendohej se sigurimi mund të mbulonte shpenzimet deri në 20 milionë euro.
Mirëpo gazetari i gazetës suedeze Bohusläningen, Henrik Lundbjörk, ka thënë për KosovaPress, se sipas njohurive të tij, shuma më e lartë e vlerës së sigurimit është 500 mijë euro.
Në anën tjetër, raportet mes çiftit nuk ishin në më të mirën e tyre, diçka që mund të mos kenë qenë të informuara familjet e tyre.