Qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës u mblodhën në një takim të përbshkët në Pejë të Kosovës. Të dy qeveritë u bashkuan për të gjitha vendimet e rëndësishme të kohëve të fundit, sado të vështira kanë qenë. Vendimi për rritjen 100% të taksave mbi mallrat e Serbisë, u mbështet fort edhe nga qeveria e Shqipërisë. Madje, për herë të parë qeveria shqiptare lëshoi kritika për të dërguarit e BE. Rama zbuloi disa presione që bën BE kundër Kosovës.
Por ndaj Hashim Thaçit kryeministri i Shqipërisë nuk pranoi asnjë kritikë.
Në të njëjtin qëndrim Rama ishte dhe në konferencën për mediat, ndërsa Haradinaj kujtoi se kufijtë janë vendosur me gjak.
Edi Rama: Hashim Thaçi është president i Kosovës dhe komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kush ngre dorën ndaj Hashim Thaçit duke e quajtur tradhtar është një gomar, këtë di të them unë. Të tjerët pastaj janë çështje që i takojnë debatit të brendshëm, janë çështje që i takojnë ndërtimit të një vizioni strategjik për të ardhmen e Kosovës.
Ramush Haradinaj: Kush mendon se merr tokë prej Kosovës e ka gabim.
Qeveria e Kosovës është shpallur kundër vendimeve të Thaçit për shkëmbim territoresh dhe ka kërkuar shkarkimin e tij si president.
Mbledhja e qeverive nisi me një ceremoni zyrtare, ku paralelisht me ekzekutimin e himneve kombëtare, një grup personash protestuan me pankarta në duar ku shkruhej “Gruevskin e ndihmuat, Val Zekën e tradhtuat”.
Veritas.com.al/