Dita e sotme do të jetë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën në Këshillin e Evropës në Strasburg, ku do të kërkohet anulimi i raportit të Dick Marty. Rreth orës 15:30- 16:30 Kryeministri Edi Rama do t’i drejtohet Këshillit të Evropës për afro një orë me një fjalim ku do të kërkojë rishikimin e Rezolutës 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Kryeministri Edi Rama ka publikuar fotografi të disa viktimave të luftës në Kosovë dhe thotë se është rrugës drejt Strasburgut, për t’iu drejtuar Asamblesë së Këshillit të Europës.

Shqipëria do të raportojë për këtë kërkesë, ndërkohë që një delegacion nga Tirana do të jetë i pranishëm. Vetë Rama e kishte paralajmëruar një kërkesë të tillë në KiE kur Shqipëria miratoi në Kuvend Rezolutën kundër raportit të Dick Marty, pasi akuzat e bëra prej tij janë totalisht të pabaza dhe nuk janë vërtetuar në të gjithë këto vite dhe njollosin një luftë të drejtë të popullit të Kosovës.

Një kërkesë të tillë Rama e kërkoi edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve. Rama kërkoi nga OKB që të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të paraqitur një raport të ri, që kundërshton me prova dhe me fakte raportin e Dick Marty, që sipas tij ka nxirë qëllimisht UÇK-n, por edhe vetë historinë e Kosovës. Rama tha se ky raport është një trillim dhe fantazi, por e cilësoi si edhe më të rëndë faktin që mbi atë se çfarë politikani zviceran shkruante në 2011, sot mbahen padrejtësisht në burg drejtuesit e UÇK-së.

Kujtojmë se në gusht Shqipëria i kërkoi zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Kryeministri Edi Rama ka publikuar dokumentin që është dërguar në KiE dhe thotë se raporti famëkeq i Dick Marty nuk mund të gëzojë rezolutën mbështetëse, ndaj kërkon drejtësi për këtë çështje.

Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (follow up report) dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës 1782 (2011). Shqipëria riafirmon vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë e për të mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën dhe e konsideron këtë nisëm shprehje kuptimplotë të këtij vullneti.