Nga: STAVROS TZIMAS

Duke parë se kërcënimet nuk sjellin rezultate, presidenti turk po përdor metoda “më të avancuara”, siç janë inkursionet dhe rrëmbimet diversioniste. Nga ana tjetër, ushtron presion ndaj qeverisë shqiptare, duke pretenduar dëbimin e kreut të minoritetit mysliman në Shqipëri, me qëllim që të inaugurojë vetë ai (Erdogani) xhaminë më të madhe në Europë, e cila u ndërtua në Tiranë me financimin e Ankarasë. Arsyeja që do “kokën” e myftiut në Shqipëri është se turqit e kanë përfshirë te ithtarët e Gulenit dhe, rrjedhimisht, në kategorinë e armiqve dhe të “terroristëve”

Reagime të fuqishme zemërimi shkaktoi te popullsitë shqiptare të Ballkanit operacioni i rrëmbimit prej shërbimeve sekrete të Ankarasë të gjashtë arsimtarëve turq në Kosovë, të cilët punonin në shkolla të varura prej imamit Gulen, si edhe kërcënimi direkt i Tahip Erdoganit kundër kryeministrit Ramush Haradinaj se “do ta paguajë shtrenjtë” faktin se shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe kreun e policisë sekrete si përgjegjës për rrëmbimin.

Personalitete të politikës, njerëz të artit dhe të kulturës, mediat dhe Shtypi në Kosovë, Shqipëri, FYROM, Boshnjë – vende me popullsi masive shqiptare – shprehën në tone të larta dëshpërimin dhe revoltën e tyre për arrogancën e udhëheqësit turk, duke refuzuar të konsiderojnë veten e tyre dhe në përgjithësi kombin e tyre si “vasalë të imazheve neootomane” të sulltanit Erdogan. Aq më tepër që, akti diskriminues i Ankarasë preku “simbolin e shenjtë të shqiptarëve”, Kosovën.

Kryeministri Alternativ i Kosovës dhe ndër luftëtarëve më të shquar të UÇK-së, Fatmir Limaj, duke iu drejtuar presidentit turk, vuri në dukje se “duhet ta kuptojë qartë se nuk jemi vasalë të askujt. Kosova është shtet i pavarur dhe askush nuk ka të drejtën që ta kërcënojë” dhe shtoi me nënkuptim: “Kosova është shtet perëndimor dhe kush do ta vëjë në dyshim këtë realitet të padiskutueshëm, do të marrë përgjigjen e duhur”.

Kritikë të ashpër ushtroi edhe gazeta që mbështet kryeministrin Rama, “TEMA” e Mero Bazes, duke vënë në dukje, midis të tjerash: “… Fakti se presidenti i Turqisë ndjen se është sulltan në Kosovë dhe kujton se mundet që të emërojë dhe të shkarkojë kryeministra, duhet të na bëjë që të mendojmë seriozisht. Këto deklarata përbëjnë një shkak më tepër që të mendojmë se një vend i rrezikshëm dhe pa standarte demokratike, siç është Turqia, mundet të vërë në rrezik perspektivën e integrimit europian të shqiptarëve, në rast se influenca e saj mbi klasën politike shqiptare është e madhe”.

Në të njëjtat tone iu përgjigj sfidave turke edhe gazeta tjetër shqiptare (gjithashtu) filo-qeveritare DITA, e cila akuzon Erdoganin për plane të fshehta radikalizimi islamik të popullsive shqiptare dhe për sjellje prej “sulltani të vogël”, duke theksuar se po thur aleancë me Rusinë, ndërsa njëkohësisht, shkel të drejtat e njeriut në Turqi, duke mbushur burgjet me kundërshtarë të tij politikë. E vërteta është se Erdogani preku sedrën dhe krenarinë e shqiptarëve dhe, sipas analistëve, plagosi prestigjin e Turqisë në Ballkan.

 

Nuk është e sigurt se lideri turk, i zhytur në botën e tij megalomane, arrin të kuptojë se mundet që Kosova të funksionojë si shtet mysliman i pavarur, brenda “kufijve të zemrës së tij”, pa i bërë temena atij dhe politikës së tij. Por nga ana tjetër, është përgjegjës për sfidat kundrejt nacionalizmit shqiptar, të cilin orvatet që ta patronojë në Ballkan nëpërmjet Islamit, në kuadrin më të përgjithshëm të lojës së influencave që po luhet në Ballkan. Me sa duket, aleanca e Turqisë me Rusinë nuk shihet me sy të mirë prej shqiptarëve.

Në 2013, gjatë vizitës së tij në Kosovë, duke folur në Prizren, presidenti turk kishte deklaruar se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”, duke shkaktuar furtunë reagimesh prej popullsive shqiptare në Ballkan. Ndërkaq, shkrimtari i famshëm shqiptar, Ismail Kadare, në lidhje me çështjen, deklaroi se kanë vlerë edhe sot të gjitha ato që kishte shkruar në veprën e tij “Ndeshja”, ku akuzon pushtimin otoman si shkaktarin kryesor të gjendjes në të cilën ndodhet sot kombi shqiptar. Nuk është e rastit se shkrimtari Ismail Kadare, për shkak të frymës anti-otomane të veprave të tij, konsiderohet pothuajse “person a non grata” në Turqi.

“Çfarë kam shkruar është tepër aktuale. Me sa duket, megalomania osmane nuk ndryshon”, kishte theksuar në mënyrë karakteristike në intervistën e tij. Por karakterizime akoma më të rënda kishte shprehur atëherë edhe peshkopi i romeokatolikëve të Kosovës, Dode Gjergji… “ Dolën në sipërfaqe nostalgjia dhe shpresat e disa neootomanëve dhe dëshira e presidentit turk që të jetë prijësi i shqiptarëve. Fjala e Erdoganit kishte përmbajtje problematike dhe ishte në kundërshtim me të vërtetën historike…”, kishte theksuar peshkopi.

Vizita e atëhershme e Erdoganit ishte bërë objekt kritike të ashpër edhe prej Shtypit shqiptar dhe prej shumë politikanëve dhe intelektualëve, kur në mënyrë publike pretendoi prej kryeministrit Edi Rama që të mbyllë shkollat e “gulenistëve”. Nën presionin e opinionit publik të tyre, autoritetet shqiptare të Tiranës nuk mbyllën shkollat, ashtu si edhe në Shkup, në Kosovë dhe në Boshnjë – thjesht, ndërruan tabelat dhe i lejuan Erdoganit që të hapë të tjera, me financimin e Ankarasë. Ndërkaq, Erdogani në asnjë rast nuk ndaloi që të ushtrojë presione të gjithanshme ndaj qeverive të mësipërme për këtë çështje.

Tashmë, duke parë se kërcënimet nuk sjellin rezultate, presidenti turk po përdor metoda “më të avancuara”, siç janë inkursionet dhe rrëmbimet diversioniste. Nga ana tjetër, ushtron presion ndaj qeverisë shqiptare, duke pretenduar dëbimin e kreut të minoritetit mysliman në Shqipëri, me qëllim që të inagurojë vetë ai (Erdogani) xhaminë më të madhe në Europë, e cila u ndërtua në Tiranë me financimin e Ankarasë. Arsyeja që do “kokën” e myftiut në Shqipëri është se turqit e kanë përfshirë te ithtarët e Gulenit dhe, rrjedhimisht, në kategorinë e armiqve dhe të “terroristëve”./KATHIMERINI

Veritas.com.al/