Erion Piciri, ka dorëzuar formularin te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për t’u futur në Kuvend. Për këtë vendim ka reaguar vetë Piciri përmes një letre të hapur, ku jep edhe motivet pse kërkoi mandatin e deputetit.

 Letër e hapur

MOTIVET E LUFTËS TIME POLITIKE DHE PARLAMENTARE

Të nderuar votues të Partisë Demokratike dhe qytetarë shqiptarë! Këtë javë dorëzova në KQZ formularin për të hyrë në parlament, jo për t’u bërë deputet apo për të legjitimuar një regjim antishqiptar, por për të çuar në kuvend zërin e një Shqipërie që kërkon ndryshim të vërtetë. Kemi hyrë në një krizë zhvillimi, humbje shprese dhe besimi, me shpërnguljen masive të njerëzve të zot, si pasojë e papërgjegjshmërisë politike që sundon prej 30 vjetësh vendin tonë. Në momente të tilla çdo qytetar duhet të zbresë në arenë. Kush ka dëgjuar thirrjen e atdheut të tij, nuk mund t’i iki përgjegjësisë. Kur e keqja përparon dhe rri indiferent, behësh bashkëfajtor. Më poshtë po parashtroj motivet e luftës time politike/parlamentare, që besoj se është lufta e gjithsecilit prej nesh për ndryshimin e Shqipërisë. Po e nis me një profil personal, duke vijuar me krizën dhe rrugëdaljet prej saj.

FORMIMI DHE AKTIVIZMI SHOQËROR E POLITIK

Kam lindur në Tiranë, me 18 vite punë dhe studime në tre kryeqendra të tjera vendesh të Europës dhe Shteteve të Bashkuara, me dy fakultete (Mjekësi dhe Shkenca Politike), disa mastera dhe pasuniversitarë (Administrim Publik, Studime Europiane, Komunikim dhe Marketing Politik, E Drejtë Publike dhe Ndërkombëtare, Studime mbi Sigurinë dhe Menaxhim, një prej të cilëve në Neë York – Master of Arts në Zgjedhje dhe Menaxhim Fushatash), një doktoratë në politikat publike të shëndetësisë në Bukuresht, disa kurse semestrale në Harvard, plot 25 vite në sistemin universitar nga student, drejtues unioni rinor, drejtues reviste universitare, masterant, doktorant, lektor dhe deri me poste drejtuese dhe konsulencë në këtë fushë, mësimdhënës lidershipi, komunikimi politik dhe publik, qeverisjeje dhe politikash të krahasuara, autor librash dhe dhjetëra shkrimesh politike, 145 emisione ‘Leadership’ destinuar ndryshimit, plot 27 vjet rrugëtim për të dhënë kontribut politik në nivelet më të larta. Asnjëherë i punësuar në institucione shtetërore, një herë fitues konkursi për drejtues sektori në kryeministri (2007) dhe i mohuar nga vendimmarrësit politikë, kandidat për kreun e Partisë Demokratike (korrik 2017), bllokuar pa arsye zyrtare nga establishmenti i partisë. Mund të isha pjesë e listës fituese dhe të hyja më herët në kuvend, nëse nuk do zgjidhja besnikërinë ndaj kauzës në vend të besnikërisë së kërkuar ndaj listbërësit të partisë. Njeriu duhet të ruajë lirinë në jetën politike, t’i shërbejë vetëm interesit publik dhe të vërë në zbatim principet morale të familjes dhe botës ku u formësua. Kështu kthehet në një vlerë të shtuar për shoqërinë. Pa liri nuk ka dobishmëri sociale. Njerëzit e kapur a të shitur nuk i shërbejnë dot kombit të tyre.

PЁRBALLJA ME MODELIN AUTORITAR, KORRUPTIV DHE KRIMINAL NË FUQI

Nga jeta dhe studimet në vende të lira buron motivi i fuqishëm për të luftuar me regjimet autoritare dhe korruptive, një prej të cilëve e kemi ende në fuqi. Prej vitesh është cenuar rendi kushtetues i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, klima zgjedhore dhe demokracia, siguria e pronës dhe të drejtave të njeriut. Me komandë nga lart u tolerua kultivimi dhe trafikimi i drogës, u rrit prezenca e krimit në ekonomi dhe në institucionet shtetërore, është instaluar një klimë armiqësore ndaj biznesit të vogël, shtresës së mesme dhe investimeve të huaja, u nxit përçarja dhe përçmimi ndaj krahinave dhe besimeve, u rrit arroganca dhe gjuha fyese ndaj njerëzve të thjeshtë, atyre të medias, botës akademike dhe intelektualitetit të vendit, u thellua kapja e shtetit, politizimi i administratës publike, përndjekja e kundërshtarëve dhe mbrojtja e abuzuesve të tenderëve publike. U instalua një regjim me pushtet të pakontrolluar, u thellua papunësia dhe varfëria, u nxit me veprime e mosveprime një klimë pesimizmi dhe shpërnguljeje masive e popullsisë si në vendet në konflikt. Mundësia për ta përballur të keqen, nuk mund të digjet. Nëse nuk i përgjigjesh thirrjes të luftosh për vendin tënd, kot që rron. Arrogancës me pushtetin i duhet vënë fre. Në shekullin e 21, më shpejt duhet të bjerë një qeveri se të shembet një shtëpi, se të bëhet një padrejtësi, se të poshtërohet një njeri.

RINOVIMI I KLASËS POLITIKE

Në këtë pikë ndahem me disa opozitarë. Ikja e regjimit në fuqi nuk mjafton, nëse nuk pastrojmë politikën nga të gjitha mbetjet e saj. Po hyjmë në dekadën e katërt të post komunizmit dhe qeverisemi nga të njëjtat familje, të njëjtët prijës, me të njëjtën mendje, që kanë së bashku apo veç e veç mbi 60 vjet pushtet. Janë zogj të të njëjtës specie grabitqare. Edhe më brilantët do kishin ikur. Erdhën dhe ikën Bushët, Clinton-i, Havel-i, Blair-i, Obama dhe po i vjen radha Merkel-it, Cipras-it, nesër Trump-it, por jo dështakëve tanë. Shtetarit që di të lërë trashëgimi i mjafton një, maksimumi dy mandate. Pushteti nuk testohet nga vitet por nga modeli dhe arritjet. Ikja si qytetar i thjeshtë, si 222 vjet më parë i George Washington-i, i nderon shtetarët dhe u jep tjetër dimension në historinë politike. Koha të dalim nga rrethi vicioz i tranzicionit dhe të shpëtojmë nga mendësia që e ka futur vendin në krizë. Prijësit që kanë vrarë garën dhe lirinë, nuk e bëjnë dot Shqipërinë, nuk janë zgjidhja, por vetë problemi.

TEJKALIMI I KRIZËS SË ZHVILLIMIT

Shqipëria ka hyrë në një krizë zhvillimi, aftësie për të prodhuar mirëqenie dhe siguri, neglizhencë ndaj individit. Në mungesë besimi dhe prespektive të rinjtë dhe të arsimuarit po ikin. Jemi ndër vendet e para në botë, me 60% të popullsisë me dëshirën për të emigruar (sipas Gallup-it), vendi i parë për emigrim real për frymë në vendet e BE-së (sipas Eurostat-it). Shqipëria evidentohet si vend pjesërisht i lirë në këto 20 vjet (sipas Freedom House), vendi më i korruptuar i Europës prej dekadash, me rekordin e negativitetit në hierarkinë globale në vitet 2012-2014 (sipas Transparency International), një ndër dy vendet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë (sipas FMN-së vendi 102 nga 190 shtete në botë), nga vendet e fundit për kontributin në shkencë dhe teknologji, vendi i 112 nga 156 vende për lumturinë (sipas Ëorld Happiness Report), vendi 80 nga 138 për konkurueshmërinë (sipas Forumit Ekonomik Botëror). Jemi lart në hierarkinë globale për prodhimin e kanabisit dhe narkotrafikut (sipas Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Bashkimit Europian), sepse të tjerët e luftojnë, ne e ikurajojmë. Përqëndrimi i pushtetit dhe parasë tek politikanët e pandershëm, biznesmenët e oborrit qeveritar dhe investitorët narkotrafikantë, na kanë nxjerrë nga harta e Europës. Në klasifikimet globale jemi midis vendeve si Haiti, Vietnami, Guinea apo Sierra Leone. Paraardhësit na lanë në Europë, politikanët na dërguan midis Afrikës dhe Amerikës Latine. Kjo duhet të ndryshojë. Sot na duhet ekonomia e prodhimit, jo e drogës dhe pastrimit të parave, na duhet investimi tek inovacioni dhe teknologjia, jo tek piramidat e ndërtimit. Vende si Irlanda dhe Izraeli po kthejnë diasporat me investime inteligjente në teknologjinë e informacionit, ne me favorizimin e krimit po largojmë më të mirët. Një klasë politike që nuk prodhon dot politika zhvillimi, por vetëm taksimi, borxhesh dhe shpërdorimi të parasë publike, ka hyrë në krizë vizioni, morali dhe lidershipi. Ndryshimi i saj duhet të jetë prioritet kombëtar. Me çlirimin e saj fillon çlirimi i medias, i biznesit dhe oportuniteteve për çdo njeri.

MODELI SOCIAL-POLITIK I MIRËQENIES EKONOMIKE

Shqipëria ka nevojë sot për një model të ri social, politik dhe ekonomik, të suksesit dhe hierarkisë në bazë të meritës. Në pararojë të Shqipërisë së shekullit të 21 duhet të jetë pjesa e aftë dhe e ndershme e shoqërisë, jo ajo pakicë me karakter të deformuar nga sundimi, dinakëria dhe egërsia. Në qendër të sistemit duhet të jetë sipërmarrësi i konkurencës së ndershme që investon, hap vende pune dhe krijon produkte që hapin tregun europian dhe global, që rrisin pasurinë dhe mirëqenien kombëtare. Në qendër të sistemit duhet të jetë krijuesi që shpik dhe hap rrugë të reja në çdo fushë, kërkuesi që zbulon të reja shkencore dhe na tregon se ku duhet të ecim dhe ku duhet të ndryshojmë. Në qendër të sistemit duhet të jetë intelektuali i vërtetë që formëson shpirtin dhe mendjen e kombit, studenti i etur drejt niveleve më të larta të dijes universale. Në qendër të sistemit duhet të jenë mjekët profesionistë që paguhen denjësisht, respektojnë pacientin dhe kujdesen të kemi një popull të shëndetshëm, duhet të jenë mësuesit cilësorë që kultivojnë veten me risitë e dijes dhe formësojnë fëmijët tanë në nivelet më të larta globale, fermeri që mbjell arat me kulturat e drithit dhe perimeve jo ai që i ka shitur shpirtin djallit dhe ka pranuar ta helmojë tokën e të parëve me farën e drogës. Në qendër të sistemit duhet të jetë gazetari i ndershëm që rend mbas të vërtetës, që nuk njeh interesa padronësh mediash mercenare që shiten e blihen tek kumbarët politikë të rradhës. Në qendër të sistemit duhet të jetë prokurori, gjykatësi dhe polici që kryen me përgjegjësi profesionale dhe ndjenjë atdhetare detyrën publike, që jep drejtësi dhe siguri për këdo. Këtij modeli të ri duhet t’i japi garanci një lidership i vërtetë me mendësi perëndimore, një lidership i përmbajtur që krijon sistemin ku vlera, kontributi dhe shpërblimi i gjithësecilit është i garantuar, një lidershipi i ri që kupton se jo politika por profesionistët e çdo fushe janë ata që do bëjnë Shqipërinë të ditur, të pasur dhe të sigurtë siç nuk ka qenë kurrë në historinë e saj.

IDEOLOGJIA E LIRISË DHE POLITIKA E VIRTYTIT

Politika duhet t’i kthehet stimulimit të lirisë, ndershmërisë dhe vërtetësisë. Liria është nëna e çdo të mire, politika frenuese është vrasëse e krijimtarisë dhe zhvillimit. Liria stimulon iniciativën dhe sipërmarrjen, mundëson hapjen e vendeve të punës, krijon pasurinë, duke i bërë njerëzit të zhvillojnë të gjithë potencialin e tyre. Nëse godet lirinë dhe ke pasion frikën dhe propagandën, ke sjellë rrënimin. Ky është thelbi i mirëqenies kapitaliste që komunistët dhe derivatet e tyre nuk e kuptuan kurrë. Përqëndrimi i parasë tek qeveria, mbushja e administratës me militantë partie, ndërhyrja preferenciale në ekonomi, favorizimi apo diskriminimi i bizneseve, grabitjet e pronës dje dhe sot, taksimi dhe rregullat e shumta janë cënim lirie dhe zhvillimi. Ajo që i duhet Shqipërisë sot është ulja e taksave dhe stimulimi i biznesit, tërheqja e investimeve të huaja që sjellin para, tregje dhe një kulturë pune që zhvillon ekonominë kombëtare. Detyra e çdo qeverie është të krijojë klimën e punës dhe pasurisë për të gjithë. Qeverisje do të thotë përparësi njerëzve, mbi objektet, fuqizimi i familjes shqiptare, jo i tarafit dhe familjes politike. Një vend ndërtohet me shpresën se të gjithë e kanë një mundësi për sukses. Kjo frymë duhet të përcillet në parlament dhe hapësirën publike. Nuk ka zhvillim me masovikë që pasion jete kanë zhvatjen e arkës së shtetit, patologji mendore falimentimin e sipërmarrjes private, profesion mashtrimin e opinionit publik. Një popull që jeton me gënjeshtrën ndërton një të tashme dhe të ardhme të rreme, jeton në një realitet të paqenë. Vërtetësia formëson individin dhe ndërton kombin, manipulimi shkatërron njeriun, besimin, klimën e zhvillimit, vetë kulturën e një populli. Të jesh i vërtetë me veten, me tjetrin, dhe me bashkëqytetarët e tu është themeli solid ku mund të ndërtohet një e ardhme e ndritur. Të jesh i ndershëm dhe i drejtë me punën, përpjekjet dhe realizimet e të tjerëve afër dhe larg teje, tregon se ke karakter për të qeverisur punët e një vendi.

DEMOKRATIZIMI DHE SINKRONIZIMI ME OPINIONIN PUBLIK

Si mund t’i bindesh një vendimi të kupolës partiake kur sondazhet (IPR Marketing), tregojnë se 61% e qytetarëve dhe dy të tretat (65%) e atyre që do votonin opozitën janë kundër djegies së mandateve?! Si mund ta bësh kauzë kryesore legjitimitetin e parlamentit, kur e ke legjitimuar me qeverinë zgjedhore, komisionerët, KQZ-në, pjesëmarrjen dy vjeçare në kuvend dhe kur në sondazhe del si çështja më e papërfillshme në shqetësimet aktuale të shqiptarëve?! Njerëzve u digjet shpirti për punësim, varfëri dhe korrupsion dhe ti u flet për ardhjen e parakohshme ne pushtet të bashkëshkaktarëve të krizës. Vendimet politike kanë si bazament koherencën dhe racionalitetin politik, principet, integritetin dhe preokupimin publik. Kur të gjitha nuk qëndrojnë njeriu duhet të ketë kurajën t’i thotë jo një vendimi të gabuar politik. Nuk mund të bëhesh pjesë e asgjësimit të një partie historike. Asnjë lidership politik serioz nuk shkon në ekstrem, duke lënë pa përfaqësim pjesën e moderuar të opozitarizmit, ata që sjellin fitoren në zgjedhje. Kush i ka studiuar ndopak zgjedhjet e di se të pozicionohesh në mënyrë radikale tregon më e pakta amatorizëm politik, në mos është diskretitim i planifikuar i opozitarizmit për t’i lënë terrenin regjimit. Fati i partive, grupeve dhe interesave nuk duhet lidhur me kusuret e shkuara të drejtuesve të tyre. Dobësitë personale nuk duhet kthehen në dobësi kolektive. Ka ardhur koha e demokratizimit të partive, e unitetit në diversitet dhe sinkronizimit të politikës me opinionin publik. Bota u zhvillua nga debati dhe non-konformizmi, jo nga shpirti i kopesë, përulja dhe nënshtrimi. Disiplina partiake është marifet i një kaste dhe interesash okulte për të kontrolluar energjitë e reja. Përulja partiake mundësoi ligjin 7501 të grabitjes së pronës, imponoi heshtjen kur në një grup parlamentar kishin rreth 25% deputetë me rekorde kriminale, bëri që të votohej shembja e Teatrit Kombëtar, mundësoi ngjitjen dhe mbajtjen në krye të punëve të shtetit të gjithfarësoj njerëzish me karaktere të deformuara. Pavarësisht se ne jemi mësuar që politikën ta luajnë dy-tre kokrra dhe të tjerë të bëjnë karrierë duke u nënshtruar dhe servilosur, kësaj kulture i duhet dhënë fund. Ka ardhur koha e konsultimeve masive përpara vendimeve të rëndësishme, jo imponimit dhe politikës së faktit të kryer.

EVOLUCIONI DEMOKRATIK DHE LIGJOR, JO PERMBYSJA REVOLUCIONARE

Lëvizjet më të suksesshme kanë qenë ato pacifiste, që kanë hedhur regjime dhe kanë bërë histori. Gandhi, Mandela, Luther King-u, Haveli dhe Rugova udhëhoqën ndryshimet përmes mprehtësisë së mendjes, fjalës dhe sjelljes së qytetëruar. Formulat leniniste nuk i korespondojnë kohës tonë. Sherrxhinjtë nuk janë shenjë e begatisë por e varfërisë së një populli. Ka hapësirë që me votë mund të hidhen edhe regjimet në vende pjesërisht të lira. Shembujt janë pafund. Veçse kauzat kërkojnë liderë me integritet, që të kenë sukses. Nëse flamuri i zgjedhjeve të ndershme do mbetet tek mjeshtrat e vjedhjes dhe blerjes së votës, ky vend nuk bëhet. Nuk ka efekt as djegia e mandateve kur të është djegur më parë imazhi publik. Koston e besueshmërisë së munguar nuk mund ta paguajë një vend i tërë. Ka ardhur koha të shkruajmë një faqe të re në historinë tonë kombëtare, jo përmes revolucionit, përmbysjes dhe anarkisë, por përmes frymes, përmes transformimit permanent ligjor dhe demokratik. Nuk na duhen ‘revolucionarë’ të rinj apo të vjetër që qëndrojnë mbi çdo ligj dhe pushtet, por profesionistë me kurajë që kryejnë me përgjegjësi dhe moral të lartë detyrat e tyre. Ta përgatisim këtë moment të kthesës së madhe, të pjekim kushtet për të vënë drejtësinë që na sjell zhvillimin. Mbas 75 vitesh në pushtet të mendësisë bolshevike, represive dhe kleptokrate, duhet t’i kthehemi të djathtës moderne si në vendet e zhvilluara të perëndimit. Duhet të krijojmë sistemin që fut njeriun në korsinë e punës me ndershmëri dhe jep garancinë e një gare me drejtësi, ku gjithkujt i kthehet investimi i tij.

Të nderuar opozitarë dhe qytetarë shqiptarë!

Në pajtim me vullnetin e shumicës opozitare e qytetare, si dhe në koherencë me parimet e mia për të djegur regjimin, por jo parlamentarizmin, do hyj në kuvend, të ushtroj një mandat komunikimi që nxit ndryshimin. Nisur nga rrethanat, me ndjeshmëri maksimale ndaj protestës tonë kombëtare, prezenca ime do jetë e kufizuar dhe në asnjë formë nuk do asociohet me regjimin. Jam kundërshtar i kësaj forme represive të shpërdorimit të pushtetit që na dogji shtëpitë, mori pasuritë dhe persekutoi njerëzit tanë që nga viti 1944 dhe sot e 75 vite vijon abuzimin mbi gjithësecilin prej nesh. Politika për njeriun e vetëdijshëm është mision i formësuar nga përjetimet personale, familjare, kombëtare dhe lëvizjet nëpër botë. Këtu buron forca dhe idealizmi për t’u marrë me këtë punë. E di se i vetëm nuk mund të ndryshoj politikat dhe legjislacionin në këtë parlament, por që nga podiumi i kuvendit mund të përhapim frymën e modernizimit. Ju siguroj për besnikëri, ndershmëri dhe vërtetësi, një luftë të pastër për t’a pjekur ndryshimin e Shqipërisë në disa hapa. Nuk ka nevojë për opozita të reja, për diversione, për shpallje kryetarësh pa antarë, për të bërë lojën qeveritare, por për një mobilizim kombëtar rreth disa principeve dhe ideve që na bashkojnë. Do luftojmë ta fuqizojmë opozitarizmin, ta bashkojmë dhe jo ta përçajmë, ta nxisim drejt modernizimit që mos zgjidhet më si e keqja më e vogël, por si e mira më e madhe në këto anë. Ka hapësirë për mendime të ndryshme për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Po vjen koha t’i kthejmë politikës seriozitetin, vendit shpresën, njerëzve mundësinë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.”,– thuhet në letrën e hapur të Picirit.