Frrok Çupi/

Do të ishte shumë e rëndë sikur vrasja e Erven Hysenit, pronar i Televizionit ‘Vlora Channel’, të jetë kryer për arsye të detyrës në media. Le ta marrim si emocionale deklaratën e kunatit të tij (që nuk paraqitet me emër) se vrasja e Hysenit është kryer për shkak të materialeve që ka transmetuar televizioni i tij”. Në një moment dhimbjeje të tillë, natyrshëm që edhe ‘teprimet’ në deklarata janë njerëzore.

Mirëpo kunati nuk mund të konsiderohet një ‘deklarues i nxehtë’ i rrethit familjar. Ervei ishte prind fëmijësh, burrë gruaje dhe fëmije prindësh; nëse kishte vend për deklarata emocionale të pa kontrolluara, iu takon këtyre së pari.

Por pse deklarata bëhet pikërisht nga një familjar ‘periferik’ siç është kunati? Përgjigja mund të jetë: O për arsye se kunati ka informacion më ‘të ftohtë’ se gruaja dhe fëmija; dmth., Erveni i ka besuar ndonjë kërcënim që nuk ua ka thënë fëmijëve; ose kunati, për arsye të tjera ka informacion se Erveni u vra ‘për shak të televizionit”.

Por le të mos qëndrojmë në këtë arsyetim ‘hetuesish’:

Vrasja e një pronari televizioni ‘të suksesshëm’ siç është deklaruar, fillimisht të vë në rrugën e ‘motivit televiziv’. Se që një televizion, edhe lokal, që të konsiderohet i suksesshëm do të thotë që ka ‘prekur’ në pika delikate dhe të ndjeshme për publikun. Këtu preket tjetri përballë i cili mud të jetë trafikant droge a njerëzish, zyrtar i korruptuar ose edhe më larg: degë e një mafie botërore. Televizioni (dmth., media) është goja e parë që duhet mbyllur pas një krimi të përmasave të tilla.

Vrasja e një pronari televizioni që është edhe biznesmen në fushë tjetër, nuk mund të ndodhë “për fushën tjetër” para fushës mediatike. Sepse media është edhe mburojë, edhe shteg për atentat- njëkohësisht. Pronarët e televizioneve, për çudi, në vendin tonë janë nga më të pasurit. Pse? Sepse pasurohen duke mbajtur parzmore median. Atëherë ku drejtohet ‘plumbi’ fillimisht? Te parzmorja, dmth., media. Si biznesmen i ‘fushës tjetër’, zor se mund të vritej Erveni. Ai konsiderohet si një biznesmen i fuqishëm dhe ‘djalë i mirë’ në Vlorë. Në koleksionin e fotove të tij bën pjesë edhe një foto me Bujar Leskaj- kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cil di me cilin fotogrtafohet. Misioni i tij zyrtar është që të dijë cilat biznese janë ‘të padenja’ për të bërë fotografi. Erveni nuk ishte i tillë. Atëherë ‘vrasja pë rarsye të fushës tjetër’ mbetet mjaft e largët.

Një pyetje shtrohet:  Nëse ka motiv mediatik, pse vritet pronari dhe nuk ndëshkohet gazetari? Kjo është çështja më e mprehtë e marrëdhënies së mediave tona me publikun dhe me etikën profesionale. Në mediat tona nuk është gazetari- personalitet; këtu është pronari- gjithçka. Pronari jep urdhër cili të sulmohet, cili të fshihet, cili të mbrohet dhe me çfarë çmimi të bëhet gjithçka. Nuk ka gjë më të rëndë se kjo që ndodh në shoqërinë tonë: Gazetari është hije, në vend që të jetë ‘Mbret’ në median ku punon. Me sa duket këtë gjë e di edhe mafia që vret. Në këtë rast mafia ka pikasur pronarin, sipas ligjësisë së praptë që ekziston këtu.

Në vendet tona fqinje, edhe përtej Adriatikut, shteti merr në mbrojtje gazetarë që rrezikohen nga të vërtetat që deshmojnë në media. Por gazetarët, jo pronarët e medias.

Nëse Erveni, drejtori i ‘Vlora Channel TV’ është ekzekutuar për arsye ‘të televizionit’, ky është lajm tmerrësisht tronditës për ne, me pasoja të rënda.

/Veritas.com.al/