Mbetjet kockor e të gjetura pasditen e së dielës në Fushë-Kuqe të Kurbinit janë dërguar për ekzaminim në institutin e mjekësisë ligjore në Tiranë. Ekspertet e policisë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe në pamje të parë, dyshohet se kafka i përket ndonjë të riu që mund të ketë humbur jetën gjatë 10 viteve të fundit. Për të zbuluar diçka të tillë do të verifikohet e gjithë lista e personave që rezultojnë të zhdukur, përfshirë dhe një 28-vjeçar nga zona Adriatikut afër vendit ku u gjet kafka dhe mbetjet kockore.
Familjaret e të riut do të jenë të parët që do ju merret ADN-ja për të bërë krahasimin, ndërsa ekzaminimet do të përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me vrasje apo personi në fjalë mund të ketë gjetur vdekjen për shkaqe natyrale.
Policia ka dyshime se eshtrat e gjetura një ditë më parë në Fushë-Kuqe të Kurbinit, mund t’i përkasin 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj (Huba) nga Mamurrasi, i cili rezulton i zhdukur që prej muajit maj të vitit 2015. Familjaret kishin denoncuar rastin në polici, duke deklaruar se ditën që ka humbur kontaktet djali i tyre ka patur me vete një orë të shtrenjtë “Roleks” si edhe disa bizhuteri, të cilat kapnin vlerën e 1 milion lekëve të rinj. Pavarësisht veprimeve që janë kryer përgjatë 6 viteve, nuk është arritur të biet në gjurmet e të riut. Gjatë ditës së sotme pritet të merret ADN-ja e familjareve të tij e cila do të krahasohet me eshtrat e gjetura.
Kafka dhe mbetjet kockore u pikasen nga një banor, në një zonë me ferra dhe shkurre 30 metra larg rrugës që lidh Fushe-Kuqen me Adriatikun. Ai ka njoftuar policinë në lidhje me rastin dhe blutë u vunë menjëherë në lëvizje, duke kryer të gjitha veprimet hetimore në vendin e ngjarjes. Ferrat dhe shkurret ku u gjet kafka dhe mbetjet kockore ishte përfshire nga flaket e zjarrit 10 ditë më parë, e që prej asaj kohë në zonë kishte nisur të ndjehej aromë e rëndë, duke shqetësuar banoret të cilët i kanë shtëpitë e tyre 200 metra më larg.