Sipas të dhënave të fundit nga EUROSTAT, zyra e statistikave të Bashkimit Europian, bllokut BE i nevojiten rreth 3.8 milionë punonjës, kryesisht nga fusha e mjekësisë, specialistë dhe punëtorë të kualifikuar nga metalurgjia dhe teknologjia e informacionit, raporton TCH.
Numrin më të madh të punëtorëve, rreth 1 milion e 200 mijë i kërkon Gjermania, që konsiderohet edhe motori lëvizës i ekonomisë europiane.
Nga janari i vitit 2020, në Gjermani hyn në fuqi ligji i ri i emigracionit, që thjeshton mënyrën e miratimit të vizave gjashtëmujore, për ata që duan të kërkojnë punë në vend. Kjo masë i referohet të gjitha vendeve jashtë Bashkimit Europian, përfshirë këtu edhe ato të Ballkanit Perëndimor.
Sipas EUROSTAT-it, përveç Gjermanisë, rreth 821 mijë punonjës të kualifikuar i kërkon Britania e Madhe, e cila ndiqet nga Republika Çeke me 271 mijë, Polonia me 156 mijë, Belgjika me 149 mijë, Austria me 126 mijë, Spanja me 125 mijë, Suedia me 103 mijë, si dhe Hungaria, të cilës i nevojiten 87 mijë punëtorë të huaj.
Veritas.com.al/