Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të ndihmojnë Shqipërinë të bëhet një aleate edhe më e denjë dhe e fortë. Kështu u shpreh ambasadorja e re amerikane Yuri Kim, gjatë konferencës së parë për mediat pas marrjes së detyrës.

“Do të vazhdojmë të mbështesim aspiratat e palëkundura të popullit shqiptar për liri, drejtësi dhe një sistem ku secili duhet të respektojë të njëjtat rregulla. Mezi po pres të punoj me udhëheqësit e Shqipërisë ndërsa ata ndërmarrin hapa të vështirë por absolutisht të nevojshëm për të zbatuar reformën në drejtësi. Jam e bindur që ndërsa drejtësia dhe integriteti të hedhin rrënjë në Shqipëri, më shumë investitorë të tërhiqen drejt Shqipërisë. Të mos ketë më dyshime që SHBA e vlerësojnë Shqipërinë si një aleate, partnere dhe mike të vërtetë”, shtoi ajo.

Kim u shpreh e nderuar që Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit Pompeo i kishin besuar detyrën e përfaqësimit të SHBA në Shqipëri. Si ambasadore mezi po pres t’ju njoh ju, vendin tuaj, kulturën tuaj, historinë tuaj. Jemi miq, aleatë dhe partnerë. Pak miq e kanë përqafuar Amerikën më me ngrohtësi, pak aleatë kanë qenë më shumë besnikë se kaq dhe pak partnerë kanë vullnetin për të bërë më shumë se sa Shqipëria”, tha ajo.

“Marrëdhënia jonë nuk është ndërtuar brenda një dite, por rrënjët e saj janë të thella. 100 vite më parë, Presidenti Ëodroë Ëilson, ngriti zërin për Shqipërinë kur askush nuk e bëri, kur nuk lejoi fuqitë e mëdha të ndanin Shqipërinë ne Konferencën e Paqes në Paris. Ai përdori madhështinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur një Shqipëri të Pavarur. Ai priti një përfaqësi të Shqipërisë në Uashington dhe hapi rrugën që Shqipëria të anëtarësohej në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920.

Pas Luftës II Botërore, dy qeveritë tona morën rrugë të ndryshme, por edhe kur dy qeveritë nuk e njihnin njëra-tjetrën, popujt tanë e mbajtën pranë njëri-tjetrin. Qëndruam të lidhur dhe i folëm njëri-tjetrin përmes Zërit të Amerikës, që jo vetëm transmetonte lajme, por edhe shkëndija shprese.

Ne qëndruam pranë jush në vitin 1991 kur u çliruat nga zinxhirët e diktaturës dhe komunizmit. Është një moment për të cilin duhet të ndiheni krenar dhe me të drejtë. Kemi qëndruar pranë jush që prej asaj kohe, duke mbështetur anëtarësimin tuaj në NATPO dhe përpjekjet për t’u bashkuar me BE.

Sot qëndrojmë pranë jush jo vetëm në mbështetje të lirisë dhe sovranitetit, por edhe të së ardhmes. E dimë që ka punë përpara, por e dimë që puna e vështirë është më e lehtë kur ke miq dhe aleatë pranë teje”.

VERITAS.COM.AL/