Pas ditëve me temperatura ekstreme të larta, të cilat arritën deri në 43 gradë celsius, jemi futur në një javë me temperatura të paktën 3 gradë më të ulëta, ndërsa priten edhe reshje shiu.
Meteorologjia e A2 CNN, Tanja Porja, u shpreh në Dita Jonë se këtë javë nuk do të ketë temperatura mbi 40 gradë.
“Kjo javë do të jetë ndryshe nga ajo që sapo kaluam, me temperatura të paktën 3 gradë më pak. Mëngjesi i së hënës ishte i freskët me temperaturat minimale që kanë zbritur nga 17-18 gradë celsius në 13 gradë celsius në zonat malore.
Të paktën këtë javë nuk presim temperatura 40 gradë, ndërsa priten reshje shiu thuajse në të gjithë territorin e vendit.
Sa i përket kësaj të hëne, temperaturat minimale do të jenë në 13 gradë në zonat malore në veri dhe në juglindje, ndërsa në zonat e ulëta dhe bregdet termometri ka shënuar një rënie të ndjeshme nga 19 deri në 21 gradë celsius, ndërsa në javën e kaluar kemi qenë në vlerat deri në 26 gradë celsius.
Kthjellime dhe vranësira kalimtare gjatë gjithë ditës së sotme. Vranësirat do të fuqizohen pasdite në veri dhe verilindje, duke prodhuar reshje të pakta shiu. Në pjesën tjetër të vendit, vranësira por pa reshje”, u shpreh meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja.