Kroacia e re, alternativa e Greqisë apo sekreti i fundit i Evropës janë disa nga epitetet me të cilat po fillon të njihet një nga zonat më pak të vizituara të Mesdheut, Shqipëria, shkruan sot Irene Martel për një nga gazetat e njohura spanjolle ”El Debate”.
“Plazhet si në parajsë, pyje magjepsës dhe perëndimet të flakëruara janë disa nga gjërat e shumta që mund të shijoni në një destinacion që ka filluar të bëhet modë.
E vendosur midis Malit të Zi dhe Greqisë, Shqipëria ka më shumë se 300 kilometra vijë bregdetare në shkëmbinjtë e Jonit dhe rërat e Adriatikut. E rrethuar nga vargmalet e Alpeve Dinarike, ky vend po bëhet zbulimi i ri për turistët nga e gjithë bota për shkak të kulturës, plazheve dhe çmimeve, që janë shumë më të lira se në vendet fqinje dhe destinacione të tjera të ngjashme.
Madje, gazeta britanike ”The Telegraph” e konsideron Shqipërinë ”rivalja e madhe e Greqisë”.
Por, çfarë ka Shqipëria që i bën ata që e vizitojnë të dashurohen pas saj?
Riviera Shqiptare apo Karaibet evropiane
Pa dyshim, një nga zonat më të habitshme të këtij vendi në Evropën Jugore është ajo midis Vlorës dhe Sarandës. Janë 150 kilometra vijë bregdetare me plazhe me ujë të kristaltë, thënë ndryshe xhevahiri i detit Jon.
Kjo zonë, të cilën shumë e njohin si Karaibet evropiane, fsheh një numër të madh limanesh me ujëra bruz midis shkëmbinjve dhe gurëve të bardhë. Sigurisht që është edhe më e prirur ndaj mbipopullimit.
Në këtë zonë, një vizitë në Ksamil është e domosdoshme, një gadishull që hapet si pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit nga ku mund të shkoni për të notuar ose me varkë në ishujt e afërt.
Megjithatë, plazhet me rërë të bardhë kontrollohen nga pronarët e restoranteve dhe hoteleve, kështu që është praktikisht e detyrueshme të marrësh me qira një shezlong dhe një çadër për të garantuar një vend pranë detit. Çmimi është rreth tetë euro (dy shezlongë dhe një çadër për të gjithë ditën).
Plazhe të tjera janë ato të Pulebardhës, Pasqyrave dhe Manastirit, prej guri të bardhë dhe ku zakonisht ka më pak njerëz.
Nëse ju lodh plazhi, mund të vizitoni edhe një nga vendet më të mëdha arkeologjike në Shqipëri, në Parkun Kombëtar të Butrintit, i njohur nga UNESCO si një sit i Trashëgimisë Botërore.
Dhe, sigurisht, nuk mund të humbisni një nga atraksionet turistike më të famshme në Shqipëri, Syrin e Kaltër, një burim i jashtëzakonshëm me ujëra bruz ku mund edhe të kridheni.
Nëse vazhdoni të udhëtoni drejt Vlorës, në veri, mund të ndaleni në Lukovë, një qytezë bregdetare e njohur për tarracat me ullinj, limonë dhe portokalle.
Aty pranë mund të gjeni plazhin më të gjatë në detin Jon, rreth shtatë kilometra i gjatë, Borshin, si edhe Qeparoin.
Në vazhdim të udhëtimit, Porto Palermo është një tjetër ndalesë e detyrueshme. Në këtë gadishull të vogël ndodhet një kështjellë e shekullit XVIII dhe do të mund të shihni një tunel që funksiononte si bunker për nëndetëset sovjetike, kur në pushtet ishte diktatori Enver Hoxha.
Së fundmi, nga Himara, një nga zonat më të populluara, me afro 30 000 banorë, rekomandohet shumë të bëni një nga udhëtimet e shumta me varkë që ofrohen nga 20 euro për person.
Në këto rrugë mund të shihni një numër të madh limanesh të virgjër nga të cilët mund të zgjidhni një për të qëndruar për disa orë. Më i famshmi prej tyre është Gjipeja, një plazh i fshehur mes shkëmbinjve të një kanioni.
Çmimet:
E vërteta është se Shqipëria është një vend shumë i përballueshëm. Në platforma të tilla si Booking ose RB&b mund të gjeni dhoma ose apartamente hoteli nga 22 euro nata. Në fakt, mund të gjesh hotele me katër yje që ofrojnë dhoma për më pak se 100 euro nata.
Ushqimi është gjithashtu shumë i lirë. Si rregull i përgjithshëm, në çdo restorant në bregdet mund të hani dhe pini për rreth 10 euro”, shkruan Irene Martel për një nga gazetat e njohura spanjolle ”El Debate”.