Kryeredaktori i gazetës së pavarur Novaya Gazeta – me bazë në Moskë – Dmitry Muratov, do ta vendosë në ankand medaljen e tij të Çmimit Nobel, me qëllim të mbledhjes së fondeve për refugjatët ukrainas, të cilët kanë ikur për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë.
“U bëj thirrje grupeve të ankandeve, që janë të interesuara për këtë çmim të njohur në gjithë botën, të na kontaktojnë neve”, ka thënë Muratov, i cili ka fituar çmimin bashkë me Maria Ressan, bashkëthemeluese e faqes Rappler, e cila njihet si platformë kundër Qeverisë së Filipineve.
Muratov dhe Novaya Gazeta kanë bërë të ditur këtë njoftim, duke bërë thirrje edhe për zbatim të pesë masave në Ukrainë: armëpushim, shkëmbim të të burgosurve, riatdhesimin e të vdekurve, krijimin e korridoreve humanitare dhe ofrimin e ndihmës për refugjatët”.
Prej fillimit të marsit, Muratov dhe gazeta e tij kanë shmangur raportimin për situatën në Ukrainë për shkak të censurës dhe kërcënimit për gjykim penal të gazetarëve që nuk ndjekin linjën qeveritare.
Rregullatori rus i mediave, Roskomnadzor, e ka ndaluar përshkrimin e veprimeve të Rusisë si pushtim apo luftë dhe ka thënë se ato duhet të konsiderohen pjesë e “operacionit special ushtarak”.
Një ligj i përkrahur së fundi nga presidenti rus, Vladimir Putin parasheh dënim me burgim në deri 10 vjet për individët e dënuar për shkelje të tilla.
Dënimi për ato që autoritetet i konsiderojnë si “informacione të rreme” për ushtrinë ruse, të cilat çojnë në “pasoja serioze” shkon në deri 15 vjet burgim. /REL