Sekretari i përgjithshëm ndodhet nën akuzën e Policisë se ka kryer dhe ka frymëzuar dhunë në protestën politike të PD dhe LSI në 16 mars.
Policia e Tiranës ka dhënë shifrat zyrtare të personave të proceduar pas protestës së djeshme në Tiranës. Sipas policisë janë 33 të proceduar për aktet e dhunës në protestën para parlamentit, mes tyre dhe sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
“Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka arrestuar 14 shtetas, për veprime të dhunshme mbi institucionet kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës gjatë zhvillimit të protestës së opozites Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim më datë 16.03.2019.
Veprimet proceduriale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.
Janë proceduar në gjendje të lirë dhe 11 persona te tjerë, ndërsa 7 shtetas janë shpallur në kërkim. Është proceduar penalisht gjithashtu shtetasi G.B., organizator i protestës së zhvilluar në 16 mars 2019. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 130 kapsolla te ndaluara si të rrezikshme për jetën”, deklaron policia.
Veritas.com.al/